Kronike
Shtyrja e zgjedhjeve në veri të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mund të vendosë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, vetëm nëse për këtë çështje do të japin vlerësim organet e sigurisë dhe ato zgjedhore.
Kështu deklaroi Presidenca e Kosovës lidhur me pyetjen nëse ka kushte që të mbahen zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të vendit, pasi në ditë më parë pati shpërthime dhe të shtëna armësh atje.
“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venecias, presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, – thuhet në komunikatën për shtyp të Presidencës.
Ende nuk dihet se kur do të bëhet vlerësimi për sigurinë në veri, por nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë deklaruar se presin nga Policia e Kosovës të bëjë një vlerësim të tillë, të cilin më pas do t’ia dërgojnë presidents Osmani.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan – u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

