Connect with us

Kosova

‘Shumë vonë për të ndryshuar…”- Ja çfarë vlerësojnë ekspertët

Analistët e çështjeve politike në Serbi, përkatësisht atyre të integrimeve evropiane, duke folur për njoftimin e zyrtarëve evropianë se të gjitha marrëveshjet e dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë atë të Ohrit (aneksi i Marrëveshjes Bazë, më 18 mars), që flitet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtar, do të përfshihen në kapitullin 35-të të negociatave mes Serbisë dhe BE-së, kanë thënë se pajtohen se ky është një sinjal i qartë nga Unioni dhe se të dyja palët duhet të përmbushin atë që kanë pranuar. Nemanja Todoroviç Shtiplija, analist politik në Serbi, ka theksuar se autoritetet serbe duhet që të mësojnë që të respektojnë zotimet që i kanë dhënë BE-së. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, para disa ditëve, duke folur për paralajmërimet se Marrëveshja e Ohrit do të bëhet pjesë e kapitullit të 35, ka thënë se nuk mendon që e njëjta mund të bëhet pjesë e këtij kapitulli në tërësi, pasi që, sipas tij, në këtë mënyrë BE-ja do t’ia mbyllte derën Serbisë. Mirëpo, sipas njohësit të zhvillimeve politike Dragoslav Raseta nga Rruga e Tretë e Re në Serbi, Beogradit nuk i kërkohet vetëm njohja de facto e Kosovës, “por Aneksi flet për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fatkeqësisht është tepër vonë për ta ndryshuar këtë”. “Nuk do të mund të shmangen disa dispozita, siç është pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Do të shohim se cila do të jetë strategjia e autoriteteve serbe pas zgjedhjeve dhe a do të ndryshojë” – potencoi  Raseta. Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e ShBA-të besojnë se kanë gjetur zgjidhjen për të ecur përpara. Aty Kosova – pos tjerash – pranon që te zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe. Serbisë i kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Advertisement