Connect with us

Kosova

Si dhelpra ngre gracka/ Maqedonci tregon planin për luftë të Vuçiçit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, nuk po e mbyll procesin e dialogut, pasi është në pritje të rezultatit të luftës në Ukrainë, dhe pas kësaj do vlerësojë situatën se cila është më e favorshme për Beogradin zyrtar.

Ministri ka vlerësuar se invazioni rus në Ukrainë, “në një farë forme ka ndikuar edhe në destabilizmin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajimin e elementëve të caktuar, si brenda strukturave shtetërore të Serbisë, por edhe elementëve të tjerë që gjenden në rajon, për të minuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

“Kjo është manifestuar haptazi me 24 shtatorin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup paramilitarësh, i armatosur dhe i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Republikës së Serbisë, ka tentuar një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë” – ka theksuar ministri i mbrojtjes.

Sipas Maqedoncit, kjo nuk është bërë rastësisht, dhe argumentoi se grupi i sulmit terrorist, ka përdorur armatim që është prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë.

“Kjo është bërë edhe me influencën që shërbimi sekret rus ka në shoqërinë serbe por edhe në institucionet e Republikës së Serbisë. Kemi evidenca që këto grupe, bazuar në faktet që janë gjetur, kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë si dhe dyshojmë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish, mund të jenë të trajnuar dhe  përgatitur nga kjo qendër” – deklaroi Maqedonci

Per sulmin terrorist, autoritetet e Kosovës akuzojnë drejtpërdrejtë Serbinë, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga akti, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për te nderuar terroristët e vrarë.

Advertisement