Shkrime
Si rrëzohen Rama, Berisha e Meta bashkë
Nga Blendi Kajsiu
Idea se në Shqipëri është e pamundur të sendërzohet një alternativë politike jashtë dyshes PS-PD dhe satelitëve të tyre, buron nga konceptimi thellësisht elitist i politikës. Sipas narrativës elitiste një elitë e keqe mund të zëvendësohet vetëm me një elitë më të mirë. Ndaj për sa kohë nuk del një alternativë bindëse ndaj PS dhe PD – së jemi të detyruar të votojmë për këto të fundit. Duhet pritur dalja e një elite superiore ndaj kësaj që kemi që elektorati të ndryshojë mënyrën se si voton. Sipas kësaj llogjike ndryshimi në Shqipëri mund të ndodh vetëm nga lart, pra nga oferta politike dhe jo nga poshtë, dmth nga kërkesa e elektoratit.
Po cila është alternativa apo elita e re që pritet të shfaqet në horizont?
Është pikërisht e kundërta e partive tradicionale. Ajo është plot njerëz të rinj por me eksperiencë, që nuk kanë qeverisur kurrë, por që ofrojnë alternativë qeverisëse.
Kaq mjafton për të kuptuar që në fakt na ftojnë të presim Godonë ose një elitë që vjen nga Marsi. Në një sferë publike dhe politike të kontaminuar më akuza, mllef, vrer, korrupsion dhe baltosje pafund, një alternativë e tillë nuk do dalë kurrë. Ndaj ftesa për të pritur alternativën ideale ndërkohë që na ftojnë të votojmë elita kriminale është në fakt një thirrje për të ruajtur rendin ekzistues.
Komunizmi në Shqipëri nuk ra si pasojë e daljes së një elite anti-komuniste, por si pasojë e presionit që erdhi nga poshtë nga qytetarët e thjeshtë. Komunizmin e rrëzuan minatorët e Valiasit me grevën e tyre, të rinjtë me balluke dhe flokë të gjata që vrapuan nëpër ambasada dhe dorën e fundit ia dhanë studentët e Universitetit të Tiranës.
Elita komuniste thjesht iu përgjigj por nuk i parapriu presionit social. Sali Berisha u përzgjodh nga Ramiz Alia për të folur me studentët sepse ishte nga Tropoja ashtu sikurse edhe lideri i tyre Azem Hajdari. Ama ai ishte qartësisht pjesë e elitës komuniste, ndonëse jo në rrethin e saj të parë.
Ishte ky presion që e rrëzoi komunizmin dhe jo Sali Berisha, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, Aleksandër Meksi apo Arben Imami. Natyrisht tashmë që jemi në kapitalizëm askush nuk flet për grevën e minatorëve, pasi punëtorët dhe protestat e tyre shihen me përçmim. Madje Kryeministri propozon importimin e punëtorëve nga Banglandeshi sepse ata shfrytëzohen më lehtë sesa tanët.
Ndaj emisionet që bëhen për rënien e komunizmit nga mediat dhe gazetarët pranë elitave politike theksojnë pafund rolin e elitave aktuale politike dhe pothuajse e injorojnë presionin social që vinte nga punëtorët dhe qytetarët e thjeshtë. Sipas stinës politike herë theksohet heroizmi i Berishës dhe herë antikomunizmi apo disidenca e Ramës.
Në qendër të ngjarjes vendosen elitat edhe pse ato ishin produktet dhe jo shkaqet e rënies së komunizmit. Punëtorët, minatorët, halabakët me xhinsa dhe flokë të gjata që shpërthyen ambasadat kthehen në sfond pasi janë turma pa fytyrë që vështirësisht mund të përfaqësohen në debatin tonë mediatik tejet të personalizuar.
Diçka e ngjashme ndodh edhe me krizën e vitit 1997. Harrohen shpejt komitetet e shpëtimit, greva e studentëve të Vlorës dhe revolta popullore në përgjithësi, për tu përqendruar tek personazhet specifike në veçanti. Kështu historia kthehet me kokë-poshtë.
Janë narrativa që e paralizojnë aksionin qytetar sepse i thonë se asgjë nuk vjen nga poshtë, çdo ndryshim vjen nga lart. Ndaj qytetarët janë të dënuar të presin që të ndodhë një mrekulli. Duhet të vijë dikush nga Marsi që të na shpëtojë. Ndërkohë ata duhet të vazhdojnë të votojnë njësoj si 30 vitet e fundit sepse nuk ka alternativë.
Në fakt jo vetëm historikisht por dhe llogjikisht elitat ndryshohen nga poshtë dhe jo nga sipër. Nuk ka përse të presësh ndryshim të regjimit apo sistemit aktual nga elitat ekzistuese pasi ato përfitojnë prej tij. Rama, Berisha dhe Meta mund të shahen e zihen gjithë ditën, ama ata janë shumë komod me njëri-tjetrin.
Ndaj e vetmja mënyrë për të bërë rotacionin e elitave është të ndryshohet sjellja e elektoratit. Dhe kjo ka ndodhur prej vitesh në pothuajse të gjithë rajonin. Ndodhi se fundmi në Itali ku elektorati edhe një herë dënoi klasën politike tradicionale duke votuar parti alternative. E njëjta gjë ka ndodhur në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Bullgari dhe Rumani si dhe në plot vende të Evropës Perëndimore si Spanja.
Vetëm si pasojë e këtij ndryshimi në sjelljen elektorale partitë tradicionale janë rinovuar në të gjitha vendet e mësipërme dhe elitat politike kanë qarkulluar në mënyrë reale. Elitat nuk ikin vetë ato largohen, me votë ose me revolucion. Dy revolucionet e fundit që kemi bërë në fakt riprodhuan një pjesë të mirë të elites ekzistuese. Ndaj është koha që të provojmë rotacionin e elitave me votë.
Largimi nga skena politike i dinosaurve aktual do mundësojë afrimin e kapaciteteve të shumta intelektuale dhe njerëzore që Shqipëria i ka, por që sistemi aktual i dekurajon nga pjesmarrja në politikë.
E vërteta është se ky sistem vazhdon të mbahet sepse shumica e qytetarëve shqiptar votojnë në mënyrë konstante për dy partitë kryesore dhe satelitët e tyre. Sondazhet dhe studimet tregojnë se ajo që quhet volatiliteti politik është shumë i pakët në Shqipëri. Ndryshe nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit, tek ne ka pak ndryshim në luhatjen e votës nga njëra palë zgjedhje në tjetrën. Edhe ndryshimi që pamë në zgjedhjet fundit parlamentare të vitit 2021 ishte në fakt ndryshim brenda opozitës, kthimi i votave nga LSI tek PD-ja. Për sa kohë nuk ndryshon kjo sjellje elektorale nuk mund të kemi ndryshim të elitave politike.
Është një e vërtetë shumë e thjeshtë që po shfaqet cdo ditë e më shumë. Këta që na duken sot si elita të përjetëshme dhe të pathyeshme në fakt pushtetin e marrin nga vota jonë. Nëse secili prej nesh ndryshon mënyrën e votimit këto elita të përjetëshme menjëherë bëhen të përkohëshme. Është e kuptueshme që një ndryshim i tillë të trembë elitat ekzistuese, por s’ka përse të trembë votuesit.