Rajon
Si sot, 16 vite më parë/ Daçiç: Me Kosovën, u përmbys rendi ndërkombëtar
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçic, tha se sot sot 17 shkurt, 16 vite më parë, në mënyrë të njëanshme u shpall e ashtuquajtura pavarësia e Kosovës dhe u shkatërrua rendi juridik ndërkombëtar.
“Sot, 17 shkurti, është dita kur u shkatërrua rendi juridik ndërkombëtar dhe kur u zyrtarizua politika e standardeve të dyfishta në interpretimin e parimit të mbrojtjes së tërësisë territoriale të shteteve të njohura ndërkombëtarisht, anëtare të Kombeve të Bashkuara” – deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë
Ai po ashtu pyeti se çfarë po feston Prishtina dhe cilat shtete po i urojnë asaj pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme, të cilën Kuvendi Kombëtar i Serbisë e shpalli juridikisht të pavlefshme.
“Është një përpjekje për të legalizuar spastrimin etnik shekullor të popullit serb, shteti i të cilit u krijua në Kosovë dhe Metohi”. 109 vende nga gjithsej 193 anëtarë të OKB-së janë të vetëdijshëm për këtë dhe nuk e kanë njohur këtë akt të njëanshëm dhe të paligjshëm” – tha Ivica Daçiç.
Sipas fjalëve të tij, Prishtina në këto 16 vjet nuk ka arritur të marrë njohje ndërkombëtare dhe as do ta marrë ndonjëherë, përkundër mbështetjes së madhe të fuqive perëndimore dhe keqpërdorimit të faktorit fetar mysliman.
“Në vend të urimeve, ata duhet të kenë turp që mbështesin regjimin në Prishtinë, i cili vazhdon të vrasë një popull liridashës dhe heroik në zemër të Evropës”, theksoi Daçic duke shtuar se Serbia është e përkushtuar për paqen dhe dialogun, por se kurrë nuk do ta njohë të ashtuquajturën pavarësi të shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, duke mbrojtur kështu parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
“Në të njëjtën kohë, ashtu siç respektojmë integritetin territorial të të gjitha vendeve në botë, presim që të gjithë të respektojnë integritetin territorial të Serbisë gjithashtu, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” i shtoi kreu i Diplomacisë serbe.