Shkrime
S’ka kohë CIA për ty – Hill i përgjigjet Vuçiç-it
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për televizionin serb “Nova Tv”, ka komentuar pretendimet e presidentit Aleksandër Vuçiç, se gjoja artikulli i revistës së “New York Times”, i cili zbuloi lidhjet e tij me botën e krimit në Serbi, ishte mesazh nga Agjencia Qendrore e Intelegjencës Amerikane (CIA) për shkak të problemeve me Kosovën.
“Me gjithë respektin për Vucic, CIA ka një sërë detyrash. Ata merren me sigurinë kombëtare dhe nuk ka asnjë për detyrë të ndihmojë ‘New York Times’ të shkruajë artikuj” – tha diplomati amerikan kur është pyetur nëse kishte ndonjë grimcë të drejte presidenti serb.
Edhe redaksia e revistës javore amerikane “New York Times”, nëpërmjet një përgjigje me shkrim për gazetën opozitare serbe “Nova”, hodhi poshtë pretendimet e Vuçiç.
“Artikulli i ‘New York Times’ bazohet mbi lidhjet e Vucic me bandat e dhunshme të drogës, bazohet në dhjetëra intervista, dokumente, transkriptime gjyqësore dhe raportime rigoroze në terren nga autori i artikullit Robert Worth. Çdo pretendim tjetër është i rremë” – thuhej në përgjigjen e prestigjiozes amerikane për gazetën serbe, si formë reagimi ndaj akuzave të presidentit serb.
Artikulli i së përjavshmes amerikane bëri bujë të madhe në mesin e politikanëve, diplomatëve dhe vëzhguesve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Artikulli zbuloi përpjekjet shumë-vjeçare të Vuçiç-it për të patur “kontroll të plotë mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike” në Serbi dhe gjurmoi qartë lidhjet e tij me grupet mafioze, kriminelët e luftës, huliganët serbë të futbollit, të cilët sipas “New York Times” janë të përfshirë në detyrën per ta bërë
Të paqëndrueshme situatën e Ballkanit Perëndimor dhe kanë ndihmuar nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të rajonit, përfshirë ato në veri të Kosovës.
James Rubin, i njohur si “dora e djathtë” e Madeleine Albright dhe ish-kryezëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tashmë lider i Qendrës Globale të Angazhimit që përbën organin kryesor të DASH-it për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit, propozoi “lexim me patjeter” të artikullit të prestigjozes amerikane me titull: “Presidenti, Huliganët e Futbollit dhe një ‘Shtëpi e Tmerreve’ e Botës së Krimit”.