Aktualitet
Skandali i ‘Mikrokredive’/ Eksperti: As regjimi komunist nuk ua merrte frymën kështu shqiptarëve
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka folur mbi situatën ekonomike në vend.
Duke u ndalur te skandali i mikrokredive, ai theksoi se ato janë shndërruar në skema mashtruese. Po flitet gjithashtu edhe për kredi digjitale që e merr për 11 minuta, gjë të cilën ai e cilësoi si reklamë mashtruese.
Preçi theksoi se Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera në vend duhet të monitorojnë institucionet financiare që abuzojnë me qytetarët.
Eksperti i ekonomisë shpjegoi se ky rrjet përfshin jo vetëm institucionet bankare financiare, por edhe një numër përmbaruesish privatë, gjë e cila ka prekur 150 mijë familje.
“Banka e Shqipërisë nuk mund ta konsiderojë veten jashtë kësaj përgjegjësie për monitorimin dhe licencimin dhe mbikëqyrjen e dinamikës. Në vitin 2016 është miratuar me mbështetjen e FMN-së një përpjekje për të ulur kreditë e këqija. Ajo që ka ndodhur pas kësaj është subjekt hetim
Por nga ajo që është bërë publike duket se ka një rrjet që përfshin jo vetëm institucionet bankare financiare, por përfshin edhe një numër përmbaruesish privatë, përfshin mbikëqyrjen mendoj të Bankës së Shqipërisë, Ministrinë e Drejtësisë, gjykatat dhe ka një heshtje që është shqetësuese. Ky fenomen duke prekur një numër të madh familjesh është problem social, rrezikon të shndërrohet në problem politik, bëhet burim tensionesh.
Janë 150 mijë familje të prekura. Kjo nuk do të thotë se secili që ka marrë para borxh nuk ka detyrimin për t’i rikthyer ato por kjo nuk do të thotë nga ana tjetër që të përdorësh arbitraritetin e përmbarimit për të nxjerrë detyrimin.
Edhe në regjimin e shkuar që ka qenë totalitar dhe pa mëshirë për të drejtat njerëzore kur vinte puna për sekuestrimin, mundësia për të mbajtur frymën gjallë sigurohej një minimum të ardhurash nga rroga që të ushqente familjet. Sot kur merr dikush një hua të vogël firmos vetëm kundrejt kartës së identitetit, askush nuk pyet se sa e ke rrogë, sa të ardhura ke etj. Madje tani flitet për kredi dixhitale, mund t’i marrësh për 11 minuta. Reklama mashtruese”, u shpreh Preçi në studion e RTSH24.