Aktualitet
Skandali te Onkologjiku: Jam qelibar, gati sa nuk u hodha nga ballkoni
Mjekja e Onkologjikut Alketa Pere ka reaguar pas revoltës së madhe publike ndaj saj dhe kolegëve të saj kur prokuroria zbuloi një skemë mashtrimi me pacientët e sëmurë me kancer.
E ftuar në emisionin “Top Story”, Pere ka thënë se nuk ka lidhje me grupin e mjekëve që dërgonte pacientë në klinika private. Ajo tha se kishte dijeni dhe se e kishte raportuar më parë rastin.
Mjekja tregoi se ka kaluar një gjendje të vështirë nga akuzat e ngritura ndaj saj.
Mjekja Pere tha se i kërkon ndjesë gazetarit për përballjen para Gjykatës, pasi nuk e njohu që ishte gazetar.
“Ditën që mora vesh nga OPGJ-ja, kisha shumë fluks pacientësh, më vijnë dhe më tregojnë që ke dalë në portale. Nuk kisha kohë, po shikoja foton time dhe po thosha “o Zot i madh çfarë u bë”. Foto u shtrembërua. Falje i kërkoj atij gazetarit që i thashë “kush je ti”. Se ai më tha ke marrë vendim pezullimi, unë nuk e dija as vendimin e pezullimit se mora një ditë më pas”, u shpreh ajo.
“Nuk kam lexuar asnjë gjë se më vijnë mesazhet nga pacientët dhe nuk kam kohë. I shoh fëmijët të traumatizuar që më thonë. Edhe sot nuk di asgjë se çfarë kanë shkruar portalet. Në një moment të dytë do t’i shikoj.
Denoncimi ishte për njerëzit që trafikonin pacientët në klinika private. Unë e kam ngritur disa herë këtë çështje. U kam thënë “u lutem mos i dërgoni pacientët në klinika private. Nuk kurohet malinja në klinika private””, tha Pere.