Connect with us

Aktualitet

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh sot shefat e shërbimeve në QSUT

Pas skandalit të Onkologjikut, ditën e sotme kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Takimi është parashikuar të zhvillohet në orët e paradites, ndërsa shefi i qeverisë do të ketë përballë shefat e shërbimit të qendrës më të madhe spitalore në vend.

Kujtojmë që më 25 qershor, Prokuroria e Tiranës njoftoi për një skemë të krijuar nga mjekë të repartit Onkologjik, për transferimin e pacientëve me tumor drejt klinikave private për qëllime përfitimi.

Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private.

Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Advertisement