Connect with us

Kosova

Skenaret për Kosovën/ Përshkallëzimi u shmang, po tani…

KOSOVË– Drejtori i Qendrës së Beogradit për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri (Fondi ISAC), Igor Novakoviq, nuk është optimist sikurse  është ndërmjetësuesi evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet vitin e ardhshëm. “Ata kanë bërë një propozim franko-gjerman që u mor nga Bashkimi Evropian, por për të arritur diçka kërkohet një angazhim shumë më i madh i BE-së në terren. Për vite me radhë ata nuk e shihnin veten si një aktor kyç gjeopolitik, por një aktor që duhet të angazhohej”, thotë ai.

E re, sipas Novakoviqit, është deklarata e të dërguarit të posaçëm amerikan për dialog, Gabriel Escobar, i cili njoftoi se SHBA-ja do të marrë përsipër formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se, me ose pa qeverinë e Kosovës, do të bëjë një propozim se si duhet të duket ajo. “Escobar tha se ata planifikojnë të fillojnë bisedimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në prill dhe kjo tregon se afatet janë shumë fleksibël,” thotë Novakoviq.

Në të njëjtën kohë, ai rikujton se marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës: “Ratifikimi do të thotë se këto dispozita janë bërë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe se kanë fuqi më të fortë se ligjet vendore”. Me fjalë të tjera, ekzistojnë të gjitha parakushtet, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të caktuara. Problemi këtu, megjithatë, është se elita politike në Prishtinë e ka demonizuar këtë bashkësi aq shumë sa që ata thjesht nuk mund të tërhiqen. Ajo që kam frikë është se procesi amerikan rreth Asociacionit nuk do të zbatohet në terren”, thotë Novakoviq.

“Merre ose lëre”

Visar Ymeri, drejtor i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka mendim pak më ndryshe. Ai e sheh krizën aktuale, e cila është në prag të konfliktit, si një hyrje në vendimin për formimin e Asociacionit: “Unë mendoj se kjo situatë në veri është e dobishme për të dy liderët për t’ia afruar idenë e kompromisit popujve të tyre”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tashmë ka filluar të flasë për “dy rrugë – ose luftë ose dialog”. Diçka e ngjashme dëgjohet në Prishtinë – Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe ose luftë”, thotë Ymeri.

Mesazhin e Escobarit, Ymeri e sheh kështu: Kurti “ose do të fillojë të formojë bashkësinë e komunave me shumicë serbe brenda një periudhe të caktuar, ose do të detyrohet të mendojë se si të largohet nga pushteti”. Ekziston edhe një mundësi e tretë – të marrësh një dokument, siç është rasti me planin franko-gjerman, i cili do të jetë korniza se si do të duket dhe duhet të funksionojë bashkësia. Ky dokument do të vijë sërish nga një vend ndërkombëtar dhe do të na paraqitet si një dokument ‘merre ose lëre’. “Nëse fillon ky proces, formimi i bashkësisë nuk do të duhet domosdoshmërisht të përfundojë, por do të mjaftojë që të hapet dera për të folur për pjesën e dytë të planit të BE-së, për të cilën Vuçiq heziton shumë ta negociojë”, tha Ymeri për DW.

Mirëpo, Novakoviq e sheh vijën e kuqe të Beogradit pikërisht në një skenar të tillë: “Ajo ku unë mendoj se Beogradi nuk do të dorëzohet është çështja e formimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”. Nuk do të flitet për negociata të reja derisa nuk përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord”.

Ymeri e sheh shkakun e krizës së fundit dhe barrikadave në veri në konfliktin mes këtyre dy koncepteve të ndryshme: Fillimisht themelimi i Asociacionit e pastaj negociatat, ose arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që nënkupton edhe themelimin e Asociacionit.

Deri tani kemi “luajtur shah”

Formimi i Asociacionit është një prej kushteve të serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, ndërsa kushti për heqjen e barrikadave ishte tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe lirimi i tre serbëve të arrestuar. Të mërkurën u lirua në arrest shtëpie njëri nga të arrestuarit, ish-polici Dejan Pantiq. Lirimi i tij, së bashku me garancitë e Kosovës që i janë dhënë BE-së dhe SHBA-së, se nuk do të ketë arrestime për shkak të pjesëmarrjes në bllokadën e rrugëve dhe në protesta, kanë mjaftuar që pala serbe të pranojë heqjen e barrikadave në ditët në vijim.

Dy ish-policë të Kosovës u akuzuan për cenim të rendit kushtetues, tentativë për vrasje, terrorizëm dhe krime lufte. Besueshmëria e këtyre akuzave vihet në pikëpyetje nga serbët e Kosovës, sikur edhe listat e personave të cilët dyshohen për krime lufte, ose për krim të organizuar, ku përfshihen disa qindra serbë. Serbët janë të frustruar edhe me praninë disamujore të forcave speciale shqiptare të armatosura rëndë në zonat me shumicë serbe, si dhe me pesë bazat policore të ndërtuara në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Tërheqja e këtyre forcave duket se nuk është diskutuar në negociatat e javëve të fundit. Por në një takim me serbët e Kosovës në Rashkë të mërkurën (28.12), Vuçiq ka premtuar se do të angazhohet që situata me policinë speciale të kthehet në periudhën e shkurtit të vitit 2022, kur u intensifikua prania e tyre.

Megjithatë, kalimi prej muajsh nga një krizë në tjetrën në veri të Kosovës çon në përfundimin se përshkallëzimi i plotë i gjendjes vetëm është shtyrë, por nuk është shmangur në tërësi. “Nëse vazhdojnë persekutimet e Kurtit, do të ngrihen barrikada të reja dhe do të mbyllim përgjithmonë veriun për institucionet e Prishtinës”, thonë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Ndërsa Visar Ymeri tha për DW se nuk e përjashton vullnetin politik të banorëve në veri, por ai megjithatë beson se “tensionimi në veri ishte i orkestruar dhe i kontrolluar”. “Mund të mos jetë rezultat i ndonjë marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës, por secila palë i ka kontrbuar kësaj gjendje. Kjo nuk garanton që situata nuk do të përshkallëzojë prapë, por deri tani kjo duket si një lojë shahu. Të dyja palët ripozicionohen përpara se të vazhdojnë dialogun. Kurti u përpoq të tregojë se mund të arrijë sovranitetin dhe të vendosë sundimin e ligjit duke përdorur forcat policore të Kosovës, ndërsa Vuçiq thotë se në të vërtetë është ai që kontrollon veriun”.

A do të jetë dhe viti 2023 “vit stanjacioni”?

Dinamika e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u kushtëzua nga pushtimi rus në Ukrainë, thekson Ymeri. Marrëveshja e parë për normalizim u quajt kështu, sepse dihej se do të kishte edhe një marrëveshje të dytë, shpjegon ai. Megjithatë, Ymeri mendon se lufta në Ukrainë ka ndikuar që fuqitë perëndimore, veçanërisht BE-ja, por deri diku edhe SHBA-ja, të humbasin vullnetin për të pritur që palët të arrijnë një marrëveshje vetë. Në vend të kësaj, beson ai, ata do të propozojnë marrëveshje që mund të pranohen nga të dyja palët: “Kështu bisedimet u quajtën dialog, sepse pritej që palët të arrinin një marrëveshje mes vete.

Deri tani marrëveshjet kanë pasur këtë natyrë, edhe pse janë arritur me ndërmjetësim. Por tani që po ndryshon gjendja, parimi do të jetë – ky është një dokument, të dyja palët pajtohen, kjo është ajo që ju kërkuat. Po kalojmë nga dialogu në stilin e negociatave ku marrim dokumente të gatshme dhe na kërkohet që t’i pranojmë, me mundësinë që të ketë disa kundërshtime të vogla”, thotë Ymeri për DW.

Novakoviq pret që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht një ftese për bisedime: “Vuçiq dhe Daçiq thanë se sigurisht që nuk e duan Kosovën në OKB dhe se çështje të tjera mund të negociohen”. Ajo që unë sigurisht pres është që Serbia të mos refuzojë ftesën për bisedime. Ata nuk do ta refuzojnë ftesën dhe do të jenë të gatshëm për një lloj kompromisi”.

Ajo që Novakoviq nuk pret është realizimi i kërkesave të disa partive opozitare në Serbi për kalimin e dialogut nga BE në OKB. “Dialogu nuk do të kthehet në Kombet e Bashkuara. Bashkimi Evropian, pra Brukseli, do të mbetet vendi ku do të takohen të dyja palët”, thotë ai.

E megjithatë, Novakoviq nuk parashikon ndonjë sukses të madh, për shkak të rezistencës ndaj formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Më duket se 2023 do të jetë përsëri një vit stanjacioni”, mendon ai. Novakoviq nuk e përjashton as mundësinë e një lloj konflikti të kufizuar, i cili është shumë i mundshëm, sepse vetë liderët nga të dyja palët sigurisht që nuk mund ta kontrollojnë situatën në çdo kuptim dhe në çdo vend. “Ky është një skenar i mundshëm. Ndërsa BE, pa një ofertë më të fortë, më konkrete për të dyja palët, dhe pa investime në resurse dhe njerëz, nuk mund të presë ndonjë sukses më të madh”, pohon Novakoviq.

Marrë nga DW

Advertisement