Shkrime
Skënder Minxhozi: Gjaku i ftohur i 21 janarit
Nuk kemi ç’ti bëjmë kalendarit. Na e sjell 21 janarin tek këmbët përvit. Edhe kësaj rradhe kjo datë fatale i afrohet kokëfortë dhe shpërfillëse shqiptarëve, kryesisht përmes shkrimeve e dëshmive të mediave, apo edhe lajmit standart të vënies së luleve në bulevard nga një tufë familjarësh të lodhur që me zor ndjekin kryeministrin Rama me nga një karafil në dorë. Gjaku është ftohur, emrat janë bërë flu në kujtesë, lajmet rreth ngjarjes po ashtu. Mijëra të rinj që atëhere kanë qenë minorenë e që tani gjerbin kafe dhe celular në kafenetë rrotull, aq që e dinë çfarë po bën ai procesion i çuditshëm me lule në mes të rrugës më të madhe të Tiranës. 21 janari ka humbur dramën, ka fituar protokollin. Dhe ka shbërë shpresat për të dënuar vrasësit, ata të vërtetët… megjithëse gjithkush di gjithçka prej vitesh!
Këmbëngulja e Artan Hoxhës dhe kolegëve të tjerë si ai, me labirintet e asaj dite tragjike kur shteti vrau katër shqiptarë të mirë, është insistimi i gazetarit që di ç’ka ndodhur dhe që s’mund të rrijë pa ja kujtuar këtë edhe atyre që fshihen pas kasetave të fshira, por edhe të tjerëve që premtuan se do bënin namin për të zbardhur atë tragjedi në mes të Tiranës, e që nuk bënë asgjë në dhjetë vjetët e mandatit që morën edhe në emër të asaj dite të zezë.
21 janari është një datë nga ato që ndajnë epokat në historinë e tranzicionit 31 vjeçar. Është dita kur shteti vrau njerëz të pafajshëm me armët e tij. Dita kur kryeministri i vendit u çmend dhe s’dinte ç’thoshte nën peshën e fajit dhe të gjakut të armëve të gardistëve të tij.
Është dita kur qeveria e kapur me presh në duar teksa vriste njerëz që lanë pas fëmijë jetimë, ju fut të përpjetës së puçit, një sajese nga ato më qesharaket por edhe më tragjiket në atë moment. Ngriti në këmbë shtetin për të bindur shqiptarët e tmerruar nga pamjet televizive, se e gjitha ishte një kurth i opozitës që kishte planifikuar të merrte me forcë pushtetin. Ndërkohë orët që pasuan zbuluan sesi Sali Berisha po e zhyste veten në faj orë pas ore me haluçinacionet e tij. Duke marrë nën mbrojtje të hapur gardistët vrasës, duke i fshehur ata në godinën e qeverisë dhe duke refuzuar publikisht shkresën e prokurores së përgjithshme Ina Rama për ndalimin e tyre.
Ata që me hipokrizi rreken të justifikojnë këto 11 vite qëndrimin e shtetit në atë ditë të përgjakshme duke gjetur lloj-lloj justifikimesh procedurale e ligjore, të paktën këtë detaj, pra refuzimin për të pranuar një urdhër të prokurorisë së përgjithshme, nuk kanë sesi ta justifikojnë.
U fshinë serverat me regjistrimet filmike, u mbyllën e vazhdojnë të heshtin gojët që dinë shumë rreth asaj dite, por ky detaj ka 11 vjet që vazhdon “të nxjerrë tym”, duke i treguar drejtësisë një pistë për gjetjen e një pjese të përgjegjësive që lidhen me ngjarjen.
Por drejtësia, cilindo emër të mbajë, cilëndo etiketë të ketë të shkruar në jakën e xhaketës, e re apo e vjetër, e plepave apo e amerikanëve, me teser partie apo thjeshtë e orientuar nga interesi apo frika – kjo drejtësi me kaq shumë fytyra, ka pasur megjithatë të njëjtin qëndrim ndaj 21 janarit: Heshtje e plotë! SPAK e mbylli mandatin e parë të kreut të tij pa asnjë zhvillim në lidhje me vrasjen në bulevard. Thuhet se pasardhësi i Arben Krajës ka një tjetër qasje ndaj fajeve e zullumeve të politikës.
Është pra momenti që në këtë datë simbolike të ketë një moment reflektimi të atyre që kanë në dorë të bëjnë drejtësi. Le të na mbushin mendjen një herë e mirë se nuk janë aty për fasadë të një drejtësi që të ri ka vetëm emrin. Le të marrin ato që ka publikuar kolegu Hoxha nëse s’ju dalin malet me prova publike rreth asaj ngjarjeje, kur një shtet i sëmurë dhe i dalë jashtë kontrollit, mori jetët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt.