Politike
Skënder Minxhozi: Kandidimi i Fredi Belerit nga Berisha e Meta, skemë për të ndezur konflikt në Tiranë
Analisti Skënder Minxhozi theksoi se sensibiliteti i Greqisë ndaj Himarës nuk ka të bëjë me arrestimin e Fredi Belerit por është një çështje shumë më e vjetër. Në një intervistë për ABC Neës, analisti theksoi se qeveria greke vepron me standarte të dyfishta teksa përmendi përplasjen me Kroacinë për incidentin e ndodhur pak ditë më parë gjatë një ndeshje, ku i kërkoi qeverisë kroate të mos ndërhyjë në punët e brendshme.
“Kapet pas projektit, është e qartë se ka një projekt të vjetër grek që ta kthejë Himarën në një zonë të konsoliduar minoritare dhe nga ana tjetër është qëndrim i vjetër i shtetit shqiptar që këtë pjesë të detit Jon nuk e shohin si një zonë minoritare dhe ky është problemi.
Nuk ka konflikte për Dropullin ku gjithçka është e qetë, në Finiq, pra në të gjitha zonat ku ka pjesëtarë të komunitetit grek ndërkohë që i gjithë sherri bëhet për të asistuar proceset elektorale por edhe kur aty shembet një garazh makine për një shëtitore të re. Sensibiliteti ndaj Himarës nuk ka të bëjë me rastin
Pra, është një sjellje me dy standarte ashtu siç jo vetëm e vënë re vëzhgues shqiptarë, por mesa duket edhe vetë politika greke që duket e përçarë ku një ish zv ministër i jashtëm i SYRIZA-s, thoshte se Beleri është një gjemb diplomatik mes dy vendeve. Është një situatë absurde por gjeneza e këtij sherri nuk janë fakt dy qeveritë.”, theksoi Minxhozi.
Analisti theksoi gjithashtu se përplasja me Greqinë për Belerin nisi nga fakti se Sali Berisha dhe Ilir Meta e zgjodhën si kandidat për bashkinë e Himarës për zgjedhjet e 14 Majit. Sipas Minxhozit, kjo ka qenë një skemë e përgatitur nga ata për të ndezur një sherr në politikën shqiptare dhe për ta përdorur këtë.
“Ky sherr nisi sepse Berisha dhe Meta kandiduan në Himarë një person që nuk do të duhej të ishte kandiduar si kandidat për kryetar bashkie për të shkuarën e tij, për marrëdhëniet që vetë ata si politikanë kanë pasur në të shkuarën, për atë që dinë për Belerin si politikan, për qëndrimet e skajshme, pëer deklaratat provokative.
Ne gjendemi në një konflikt të hapur me Greqinë për shkak se një pjesë e politikës shqiptare vendosi që të riciklojë një mbetje si figura e Belerit dhe ta rifusë në lojë. Kam dyshime se ishte një skemë e përgatitur mjeshtërisht për të ndezur një sherr që po shfrytëzohet për interesa politike brenda në Tiranë.“, theksoi Minxhozi.