Aktualitet
Skenë si filma aksion/ Policia e ndaloi me një mjet luksoz, i riu hidhet në det për t’i shpëtuar arrestimit

Një skenë që të kujton filmat aksion është regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Sarandës, ku një person është hedhur në det për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Butrinti”, pranë shëtitores së qytetit. Policia ndaloi një automjet luksoz, tip Porsche Panamera, në të cilin ndodheshin tre persona.
Në momentin kur efektivët tentuan ndalimin, njëri prej tyre zbriti me shpejtësi nga automjeti dhe u largua me vrap, duke u hedhur më pas në det. Ai mbante një çantë në krah.
Dy personat e tjerë u ndaluan menjëherë dhe u shoqëruan nga forcat “Shqiponja”. Ndërkohë, dhjetëra forca policore mbërritën në vendngjarje, ndërsa në det ndërhyri policia kufitare me një skaf. Pas një ndjekjeje të shkurtër në ujë, i dyshuari u kap dhe u nxor në shëtitore, ku u shoqërua drejt furgonit të policisë.
Dyshohet se ai ka hedhur në det sende të paligjshme ndërsa hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të pazakontë.

