Connect with us

Politike

Socialistët gati të çojnë Xhaçkën në Kushtetuese

Partia Socialiste (PS) këtë të enjte të 11 prillit ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë raportin sa i takon çështjes së mandatit të deputetes, Olta Xhaçka.

Ndërkaq, edhe Partia Demokratike ka dorëzuar të sajin.

Në seancë plenare kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Bledi Çuçi tha se sot do të marrin një vendim për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

“Raportin e kemi përfunduar e keni në sistem. Unë besoj se vendimi i GJK është ezauruar. Ne e kemi zbatuar vendimin e GJKL. Shfuqizohen të dy vendimet që janë marrë nga parlamenti në lidhje me papajtueshmëri e mandatit Xhaçkës. Në mbledhjen byrosë kemi bërë të qartë që pas diskutimeve do të çojmë çështjen në Kuvend për të marrë një vendim për dërgimin e çështjes në GJK sipas procedurës që ka rrjedhur deri tani. Sot është e qartë do çojmë një projektvendim për të dërguar çështjen sipas kërkesës së GJK”.

“Për sa më sipër, anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësojnë që cështja t’i kalojë seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës”, shkruhet në fund të raportit të PS-së.

Në takimin e Këshillit, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se është bërë mburojë e Xhaçkës dhe kërkoi që çështja të mos zvarritet, por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, sqaroi se Këshilli nuk mund të mblidhej pa u botuar në Fletore Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Sa i përket periudhës tjetër, nga korriku dhe deri tani, pyetje drejtojani vetes se ishim në anormalitet” tha Nikolla.

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, theksoi se mazhoranca e ka mbajtur peng dhe akuzoi opozitën si shkaktare për vonesën.

“Në 6 muaj nuk janë bërë mbledhje normale”, tha ajo ndërsa shtoi se do të hartohet raporti dhe do i dërgohet seancës plenare për votim”, tha Bushka.

Edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, u shpreh i gatshëm për të dërguar raportin.

Nga ana tjetër, Bardhi theksoi se “se grupi ynë e ka ngritur këtë çështje në qershor 2022, ka qenë vullnet i mazhorancës të marrë në mbrojtje në anëtar të kabinetit, që vijmë sot në prill 2024, për një vendim që sipas Kushtetutës ishte i qartë që në nisje”.

“Jo sepse e thotë opozita, por sepse Kushtetuesja e ka bërë të qartë që nëse ka një mocion të 1/10 shumica nuk mund të pengojë dërgimin e çështjes në Kushtetuese”.

Kërkesën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve e ka bërë kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën – ashtu si edhe më herët – se po bllokonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Xhaçkës.

Më 26 mars, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, i ka kthyer përgjigje nënkryetarit të grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, sa i takon mandatit të deputetes Olta Xhaçka, duke u shprehur se kjo është një kompetencë që i takon të tjerave organe të Kuvendit.

Përmes një shkrese, Nikolla ka përkufizuar se nuk i takon asaj vendimmarrja për mandatin e Xhaçkës.

Bardhi i pati kërkuar kryetares së Kuvendit, që organi të zbatonte vendimin e Kushtetueses, sa i takon mandatit të Xhaçkës.

Gjykata Kushtetuese urdhëroi rreth 1 vit më parë që Kuvendi t’i dërgojë mandatin e Xhaçkës që pikërisht kushtetuesja të vendoste nëse ka konflikt interesi.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj pati theksuar se mos zbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres Xhaçka, është një situatë e pazakontë.

“Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kreu i Grupit Parlamentar të fraksionit të Rithemelimit brenda Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka pretenduar se deputetja Olta Xhaçka po mbrohet në kundërshti me Kushtetutën, edhe pse ajo ka grabitur 10 mijë metra katrorë tokë, për të ndërtuar një resort.

Kjo është një përgjigje që Bardhi i jep kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi kjo e fundit ka reaguar përmes një shkrese, duke thënë se nuk është detyra e saj, por e organeve të tjera kuvendare, që të marrë hapa për mandatin e Xhaçkës.

Sipas Bardhit megjithatë, ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, “sot nuk është as në burg, as i hiqet mandati i deputetit, sepse kështu vendos Edi Rama, sepse ajo është bashkëpunëtore e Edi Ramës”.

“Ndërsa ndaj opozitës shkelet Kushtetuta, ndaj grabitësve të Qeverisë, bëhet mbrojtje politike, shkelet Kushtetuta, nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ky është modeli që na ofron qeverisja e Edi Rama”, përkufizoi Bardhi gjatë një takimi me strukturat në Kavajë.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

Advertisement