Politike
Socialistët i hapin rrugë shembjes së pronave publike për interesa private
Një nismë e deputetit socialist Eduart Shalsi për ndryshimin e një akti normativ të vitit 2008 u transformua kryekëput në komisionin e Ekonomisë të mërkurën, duke i hapur dritën jeshile shkëmbimit apo shembjes së pronave publike në rastet kur këto të fundit pengojnë projekte private.
Ndryshimi i propozuar nga Shalsi në aktin me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë.
Por gjatë diskutimit në komision, deputetët Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, të cilat edhe pse nuk i janë nënshtruar konsultimit publik, synojnë që t’u japin kompetenca çdo institucioni publik që të vendosë për shkëmbimin apo shembjen e pronave publike, për arsye investimesh private në turizëm apo qëllime të tjera.
Sipas propozimeve, “prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore”.
Gjithashtu, objektet shtetërore propozohen të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi.
“Kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit,” thuhet në propozim, duke përcaktuar se shpenzimet e shembjes dhe vlera kontabël e objekteve përballohen nga kompania private.
Sipas propozuesve, këto ndryshime synojnë rregullimin ligjor të një praktike që është ndjekur deri më sot për shembjen e objekteve shtetërore, dhurimin apo këmbimin e pronës publike, praktika e cila ka kaluar nëpër vendimmarrje ad-hoc të Këshillit të Ministrave.
Por deputetët e opozitës i bënë një lexim tjetër propozimeve, duke aluduar për lidhjen me interesa të ngushta korruptive në dëm të interesin publik.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se rasti përfaqësonte një shembull tipik të “ligjeve të kapura” dhe se parashikimi për shembjen e objekteve shtetërore dhe dhurimi i pronave publike bien ndesh me ligje të tjera sektoriale dhe me Kushtetutën.
“Është një ligj me porosi, për qëlllime dhe interesa të kujt unë ende nuk e di,” tha Tabaku, ndërsa shtoi se sipas përmbajtjes së neneve, shteti kthehet në një shkëmbyes pronash dhe transaksionesh private.
“Për mua të dyja janë shumë të rrezikshme! Lënë hapësirë për korrupsion, hapësirë në zbatimin e tij…,” këmbënguli Tabaku.
Edhe deputeti Dashamir Shehi akuzoi se pas propozimeve fshiheshin interesa konkrete të ‘oligarkëve” që lidhen me privatizimin e porteve apo pronave të ushtrisë që po kërkohen për investime turistike.
“Kjo bën mu,” tha ai, duke shtuar se, – “nëse do të kishit sot një listë objektesh që ka dalë kjo problematikë, dyshoj që është Porti i Vlorës, i Durrësit, apo disa reparte ushtarake që sot kanë marrë vlerë turistike për shkak të vendndodhjes së tyre”.
Shehi aludoi se mënyra se si u bënë propozimet nga disa deputetë socialistë, duke shmangur qeverinë nga konsultimi publik, hidhte dyshime për qëllimet e vërteta të ndryshimeve.
Kjo procedurë u kontestua edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe.
Braçe tha në komision se bëhet fjalë për “ndryshime themelore” që do të duhej të vinin nga ana e qeverisë, e cila është përgjegjëse për politikat.
“Ministritë janë aty për të ndërmarrë politika, pse duhet të marrin deputetët inciativa kaq të rëndësishme për ndryshim politikash,” tha Braçe, duke shtuar si argument dhe përgjegjësinë e ministrive për një proces konsultimi.
Ai po ashtu u shpreh i pakënaqur me përmbajtjen e ndryshimeve, duke shtruar pyetjen;“po pjesëmarrja e shtetit përmes pronës në një investim, përtej shitjes e shkëmbimit, pse nuk përfshihet?”
Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi pretendoi se propozimet ishin konsultuar me qeverinë dhe propozuesit ishin në dijeni të problematikave të mëparshme që kërkonin kuadrin ligjor.
“Ndërhyrjet me VKM po i sanksionojmë, nuk arrij ta kuptoj çfarë rreziku kanoset” pyeti Shalsi.
“Më thonë nga ministria që ka disa raste ku në një sipërfaqe p.sh. 100 njësi ka një pronë shtetërore 2-3 njësi, ku nuk lejohet lidhja e marrëveshjeve pavarësisht se edhe qeveria edhe investitori kanë rënë dakord që të shkëmbejnë një pronë ..,” solli ai një shembull në favor të arsyetimit mbrojtës.
Të paktën zyrtarisht nuk ka një konsultim me Këshillin e Ministrave mbi ndryshimet e reja thelbësore që u bënë në komision, pasi rezulton që qeveria të ketë dhënë ‘mendim” vetëm mbi nismën fillestare të deputetit Shalsi, që lidhej me rregullimin e kompetencave.
Gjithsesi, zëvendësministri i Ekonomisë, Endrit Yzeiraj i pranishëm në komision dha dakordësinë në mënyrë të thatë. Sipas tij, këto ndryshime “plotësojnë kuadrin ligjor dhe mbrojnë interesin publik”.
Më herët propozimet kaluan në komisionin e Ligjeve, ku po ashtu opozita ngriti pretendime se ndryshimet ishin klienteliste dhe një abuzim me pronat shtetërore.
Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, tha se, “po deformohen aktet normative te deritanishme duke normuar me ligj privatizimet e pronave shtetërore në interesa të individëve të lidhur me pushtetin”.
Ndryshimet ligjore të miratuara në komisionet parlamentare shmangën konsultimin publik dhe kaluan në mënyrë jotransparente, duke u futur në rendin e ditës së seancës plenare të enjten pa u publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit.