REAGIM
Sonila Meço kërkon ku është akti: Për ju që na mbani pishtarin
Ku është akti në opozitarizmin e atyre që pretendojnë se mbajnë vulën e pishtarin?”.
Kështu titullohet një shkrim i Sonila Meços, e cila ka bërë një koment për situatën e opozitës.
Faktet thonë:
Njëlloj si pushteti i kalbur, ku zgjedhjet e votimet janë zëvendësuar me emërime, kur nuk votohet më për kryetar, ku ministrat e marrin vesh në transmetim live nëse janë emëruar a shkarkuar, ku kandidatët për Kuvend e Administrim Lokal i vendos kur e si i do midja vetëm kryetarit, ku forumet partiake janë dekor festiv a funebër për ”one man show” në varësi të ëndrrave të mëngjesit të liderit. Pa i hyrë kriminalizimit të çdo qelize shtetare. Qëndrojmë tek ajo se si opozitarizmi i vulës i qaset si shpresë për demokracinë e re shqiptarëve.
Opozitarizmi i vulës është i emëruar, i komanduar, i autorizuar, pa forume, vetëm i zgjedhur jo.
Opozitarizmi i vulës nuk dëshmoi vlera demokratike të dorëheqjes në rast humbjesh, dy palë zgjedhje të përgjithshme, dy palë lokale dhe një palë të pjesshme. Edhe një akt dorëheqjeje publike u krye me “anallim loje”, nuk u regjistrua në gjykatë.
Opozitarizmi i vulës nuk dëshmoi vlera demokratike të votës për vendime madhore, duke ia lënë në tagër kryetarit.
Opozitarizmi i vulës nuk dëshmoi vlera demokratike kur bashkëqeverisi me regjimin, që denonconte edhe me Çadrën e Lirisë. Dhe ia dha pa transparencë ndaj forumeve dhe anëtarësisë marrëveshjet në tavolinë “regjimit” edhe në 17 Maj 2017 edhe në 5 qershor 2020.
Opozitarizmi i vulës, që i kujton me përbuzje një pjese tjetër opozitarizmi se solli në pushtet regjimin, harron se bashkëqeverisi me regjimin në periudhën më vendimtare, që i siguroi këtij të fundit lehtësinë për të bërë çdo manovër teknike, politike, juridike, ligjore e jo ligjore për të shfrytëzuar zeitnot-in (pamundësinë e kohës) duke fituar zgjedhjet në 2017-ën edhe pse i dërrmuar pas një beteje disa mujore të suksesshme të opozitës në shesh.
Opozitarizmi i vulës i përdori votat e çdo “qelbësire” (siç i cilëson sot) në 25 Prill. Njohu zgjedhjet më të sakatuara, me patronazhistë, shkelje marrëveshjesh me arbitër ndërkombëtar, ndryshime antikushtetuese të vetë kushtetutës me prekjen e rregullave të lojës para zgjedhjeve, me përdorimin flagrant të burimeve publike, me faktet skandaloze të përdorimit të kartave të identitetit, listave zgjedhore dhe blerjes së votave, të veshura me gjak në mes të Elbasanit, përgjimet skandaloze e flagrante të zyrtarëve publikë për “tërmete”, “ma nalt” me eksponentë të krimit, zyrtarëve shtetërorë, policë, arsimtarë. Dhe e la në mes denoncimin pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, sepse e keqja më e madhe nuk qe pushteti i vjedhur, por ish kryetari i vet.
Ndoshta…por a e luftoi pushtetin siç luftoi “non grata”-n?
Opozitarizmi i vulës bashkoi votat me maxhorancën e “regjimit” për shumë ligje të propozuara nga Rilindja, zgjatje mandatesh vetting-u, u përdor për zgjedhjen e Presidentit, lejoi të dëmtohet lustracioni. Kartonat u bashkuan me shumë propozime të tjera të “regjimit”.
Opozitarizmi i vulës u konsumua me betejën brenda vetes, sepse edhe përjashtimet nga grupi parlamentar i bëri me vendim kryetari, se nuk iu drejtua bazës, anëtarësisë kur i plasi në derë “non grata”. Jashtë çdo logjike e parimi demokratik vendimi për përjashtimin u mor nga një njeri i vetëm, duke i vënë kësisoj kyçin dhe bravën kupolës ndaj bazës. Pa asnjë transparencë, pa ia kaluar forumeve dhe pa iu nënshtruar një referendumi, partia iu nënshtrua ndarjes me kokfortësi.
Opozitarizmi i vulës u izolua, deputetët humbën kontaktin me zgjedhësit, nuk zbritën kurrë në bazë të ahpjegonin vendimet e tyre, të jepnin llogari ndaj votuesit të tyre. Asnjë gjasë demokratike përballë regjimit antidemokratik.
Opozitarizmi i vulës kërkoi legjitimimin tek ambasadat dhe nevoja e maxhorancës për ta goditur fatalisht PD-në një herë e mirë. Nuk respektoi asnjë kriter demokratik, asnjë formë legjitimimi prej bazës, asgjësoi përfaqësimin, zhbëri përfshirjen, grisi statutin, blindoi selinë, u përlesh me të vetët.
Opozitarizmi i vulës u tkurr në pak njerëz, me kryetar të dorëhequr “me gjasme”, që braktisi betejën në kuvend, kundërshtimin e ligjeve antikushtetues, denoncimin e aferave dhe skandaleve deri në kufij Atlantiku dhe u shfaq vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale për të marrë “çertifikatën” e kryetarit zyrtar, por të dorëhequr, në një parti me kryetar nënkryetarin e autorizuar, që KQZ nuk e njeh, por ia proftas KAS-i (o Zot ç’paradoks!)
Bjerini Opozitarizmit të Foltores, megjithëse bëri zgjedhje, referendum, primare, proces të plotë gjyqësor, kundërshtoi ligje, denoncoi afera, kërkoi interpelanca e mocione me debat, doli me rezultat trefish më të lartë në zgjedhjet e pjesshme se opozitarizmi i vulës, hyri në proces megjithëse shteti u vesh me mantelin monist e autokratik më keq se në 2019-ën, vijoi protestat (mirë a keq, me a pa rezultat), mblodhi mijra njerëz, riktheu dialektikën në debatin politik…
Po, me imazh të vjetër, “non grata”, të konsumuar pushteti, si të doni cilësojeni Foltoren, Rithemelimin, hiqjani çdo atribut, quajeni Bermudë a Barrakudë po deshët. Ama më shpjegoni opozitarizmin “zyrtar” çertifikuar institucionesh të kapura maxhorance, drejtësie të shantazhuar, shkelje syri ambasadorësh, pa forume, pa zgjedhje, me talljen e atij burrit edhe më të fortë se ç’qe kur u mbyllët me të si Çeçoja gjeri ndaj të gdhirë 6 vjet më parë, sot me vetëm 57 ditë në dispozicion dhe vetëdijen e plotë se vajtja kësisoj në zgjedhje është dënimi më i rëndë për Shqipërinë shqyer e bërë copë prej pushteti absolut ngulfatur korrupsioni e krimi të organizuar.