Aktualitet
Sot është Dita e Nevruzit, festa që simbolizon rilindjen

Sot është Dita e Nevruzit, një festë nga më të rëndësishmet për komunitetin bektashi. Ndonëse shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, në Shqipëri kjo festë festohet më 22. Përveç se një festë fetare në Shqipëri, Nevruzi njihet edhe ndërkombëtarisht prej OKB-së si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit.
Në këtë ditë, përveç riteve fetare, besimtarët bektashinj shkëmbejnë edhe vizita e dhurara me njëri-tjetrin. Gjithashtu tryezat shtrohen si për festë, ku nuk mungon byreku me monedhë, jeshillëqet, mishi i pjekur dhe sultjashi. Kjo ëmbëlsirë në bazë të saj ka qumështin, që simbolizon qumështin e nënës, orizin që simbolizon bollëkun dhe sherbetin që merret i kënduar në teqe.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, në një shënim të tijin, në faqen online të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan: “Ndërsa bota përtërihet këtë pranverë, le të kujtojmë se çdo vit i ri dhe çdo ditë, është një shans për një fillim të ri; një shans për të bërë gjërat ndryshe; një mundësi për të ndërtuar një botë më të mirë”.
Dita e Nevruzit bashkon kultura të ndryshme në të gjithë Iranin, Azinë Qendrore, Kaukazin, Ballkanin dhe më gjerë, duke ofruar zakone dhe vlera të pasura të zakoneve.
Origjina e Nevruzit mund të gjurmohet në perandorinë e lashtë persiane dhe në kalendarin Zoroastrian, ku shënonte një nga ditët më të shenjta të vitit. Fillimisht një kohë e shenjtë për të festuar rilindjen e natyrës, Nevruzi evoluoi gjatë shekujve në një festë laike të përqafuar nga komunitete të shumta etno-gjuhësore dhe kulturore.
Sot, Nevruzi festohet nga njerëz me prejardhje të ndryshme fetare dhe kulturore, duke reflektuar një dëshirë universale për rinovim, paqe dhe prosperitet. Njohja ndërkombëtare nga UNESCO dhe Kombet e Bashkuara nënvizon rëndësinë e saj si një ngjarje kulturore unifikuese në botën tonë gjithnjë e më të ndërlidhur.

