Connect with us

Shkrime

“Sot qava”, Dom Gjergj Meta: Po ndërtojnë biznese mbi kufoma fshatrash të vdekur

Nga Dom Gjergj Meta

SOT QAVA …
Ndoshta ishte hera e parë që sot, në njërën prej meshëve, m’u desh të ndalem disa herë ndërsa kremtoja. Arsyeja ishte se po më kapte dënesa e sytë më ishin mbushur me lot. Thjesht po qaja edhe pse më vinte turp nga njerëzit që ishin në meshë: katër gra e dy burra. Do t’jua shpjegoj arsyen.

Kur mbërrita te Kisha e fshatit K., sapo më pa P., një grua e dinjitetshme dhe e varfër, më tha:

“Qoftë lëvdu Krishti dom Gjergj! A mujte”

Iu gjegja si duhet dhe e pyeta:

” A je mirë ti P.? Si i ke?”

“Mirë dom Gjergj, por dun me na mbyt në ujë”.

“Si i thashë? Nuk po kuptoj” – ia prita.

“Po po dun me na ble e me na hjek prej këtu se duan të ndërtojnë një HEC. Por ne nuk e lshojm kët vend” .

Ndërkohë mora vesh se familje të tjera kishin lëshuar fshatin. Familje që vinin çdo të djelë në meshë. U mërzita, jo pse nuk do të kisha shumë njerëz në meshë. Jam mësuar gjithë këto vite të bëj edhe dy orë rrugë të keqe për një meshë me pesë a gjashtë vetë. Unë do të shkoj në ata fshatra edhe kur të ketë mbetur një njeri i vetëm, sepse Zoti nuk i llogarit njerëzit me numra.

Por u trishtova dhe po qaja, sepse po ndjeja vdekjen e këtyre fshatrave. U trishtova se ka njerëz që po ndërtojnë biznese mbi kufoma fshatrash të vdekur. Në jetën time kam qarë më shumë para vdekjes së një njeriu që e dija se do të vdiste, se sa kur ai ka vdekur. Kështu po më ndodh edhe me fshatrat e zbrazur të Dioqezës ku po shërbej. Po i qaj se po i shoh teksa rënkojnë nën grahmat e fundit të vdekjes e askush nuk po flet.

Ndërkohë m’u kujtua leximi i parë i meshës së kësaj të Diele e ndjeva shpresë përtej çdo shprese.

“Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj.”

U ktheva, sapo mbarova meshën, drejt Rrëshenit. Ndjehesha i pafuqishëm krejtësisht. Nga pasqyra e makinës pashë edhe një herë ato katër gra e dy burra që ishin në meshë e nuk pata turp të dënesja…

Advertisement