Connect with us

Politike

Sot Shqipëria drejton mbledhjen për Ukrainën, Rama nga salla e OKB

Nga salla e Këshillit të Sigurimit të OKB, ku sot presidenca shqiptare do të drejtojë një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit, me praninë e shumë krerëve të shteteve dhe qeverive, kryeministri Edi Rama, përmes një video-mesazhi shprehet se do të drejtojë një debat të hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku në fokus do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, por dhe adresimi i nevojave aktuale dhe të ardhshme humanitare. Në videomesazh Rama thotë se shpreson që ky debat i hapur të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, për të kthyer rrugë dhe për t’i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë.

“Si pjesë e programit të punës të Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shtator, nën kryesimin e Shqipërisë, Këshilli do të mblidhet nesër për atë që, me gjasë, është takimi më i rëndësishëm për Ukrainën, qysh prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia. Do të kem nderin të kryesoj këtë takim. Krerët e shteteve dhe të qeverive të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, si dhe, më gjerë, të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, përfshi Ukrainën, do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të shkëmbejnë ide, jo vetëm rreth luftës që po zhvillohet dhe pasojave mbi Ukrainën e popullin e saj, por edhe për ndikimin që po prodhon lufta mbi paqen e sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe veprimin shumëpalësh.  Do të jetë hera e parë, që prej fillimit të luftës, që Presidenti Zelensky do të jetë në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Sigurimit.

Shpresoj që ky Debat i Hapur i Nivelit të Lartë të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, për të kthyer rrugë dhe për t’i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë. Duke qenë se vijmë nga një rajon ku lufta ka shkaktuar vuajtje të pamasë, jemi mjaft të ndërgjegjshëm për vlerën e paqes dhe përpjekjet monumentale që duhen për arritjen e, mbi të gjitha, për ruajtjen e saj.”

Teksa bëri thirrje që të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë Kryeministri tha se Shqipëria ka vendosur ta vërë theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos, të paqes e sigurisë.

Karta e Kombeve të Bashkuara dhe e Drejta Ndërkombëtare shtrojnë themelet e asaj çka quajmë siguri njerëzore. Ato përbëjnë një shkëputje nga e kaluara, me praktikën tradicionale të mbizotërimit, imponimit apo atë të “fuqishmit që ka të drejtë”. Ato sigurojnë barazi mes shtetesh dhe mjete paqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ja pse Shqipëria ka vendosur të vendosë theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos, të paqes e sigurisë, në diskutimin e këshillit dhe, më gjerë, mes anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Pra, u vendos”, tha Rama.

Java e rëndësishme e OKB ka bërë bashkë në SHBA, presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Rama me një axhendë të ngjeshur takimesh. Kreu i shtetit do të mbajë fjalën në emër të Shqipërinë në Asamblenë e Përgjithshme ndërsa Rama do të prezantojë 2 nisma në Këshillin e Sigurimit, të ndërmarra nga vendi ynë që mban presidencën e këtij institucioni.

Gjatë qëndrimit në SHBA-, kryeministri Rama takoi Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan. Në një status në rrjetet sociale njoftoi se se është drejt finalizimit të paketës së investimeve në Shqipëri. Aty konfirmoi se presidenti i Emirateve të Bashkuara Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, e para e këtij niveli në vendin tonë”

Presidenti Begaj me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm në OKB. Më datë 21 shtator, pritet të jetë fjala në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, forum i cili bën bashkë krerët më të lartë të të gjithë globit, ku një vit më parë, siç protokolli e deshi, këtë fjalim e mbajti kryeministri Edi Rama.

Advertisement