Connect with us

Politike

“SPAK ka garancinë e BE”/ Komisionerja Kos: Të pakënaqur që amerikanët janë tërhequr…

Komisionerja për zgjerim Marta Kos thotë se Komisioni Europian, nuk është i kënaqur nga largimi i disa institucioneve amerikane, nga financimi i SPAK, por ajo jep garanci se do të jetë Bashkimi Europian që do mbështesë SPAK dhe institucionet e reja te drejtësisë me asistencë teknike e financiare ne drejtimin forcimin e kapaciteteve dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

Komisioneria zbulon për Top Channel sapo janë dhënë 270 milionë euro për shtetin e së drejtës nga fondi një miliard që përfshin plani i rritjes për Shqipërinë, Zyrtarja e lartë e Komisionit Europian vlerëson punën e SPAK duke nënvizuar se ky institucion i drejtësisë gëzon besimin e plotë të BE dhe se  sulmet ndaj prokurorëve të posaçëm po ndiqen nga Brukseli.

Komisioneren Kos e intervistoi gazetari i politikës në Top Channel, Muhamed Veliu:

Muhamed Veliu: Komisionere, shumë faleminderit për këtë intervistë në Top Channel, dhe nëse nuk gaboj, është intervista e parë që jepni që kur jeni në këtë pozicion.

Komisionerja Marta Kos: Shumë faleminderit! Vërtet, është e para, sepse i thashë vetes dhe ekipit tim se 100 ditët e para dua të punoj, dua të njihem me portofolin tim, kështu që po është hera e parë dhe jam veçanërisht e lumtur që po ndodh këtu në Tiranë.

Muhamed Veliu:  Të gjithë e dimë se zgjedhjet janë një tipar i rëndësishëm për demokracinë në çdo vend. Çfarë do të kërkoni ju në Komisionin Evropian sa i takon fushatës elektorale dhe ditës së votimit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit?

Komisionerja Marta Kos: Zgjedhjet janë një pjesë shumë e rëndësishme e çdo demokracie dhe shpresoj që njerëzit fillimisht të shkojnë të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre se çfarë të ardhmeje duan të shohin për Shqipërinë. Kështu që hapi i parë është shumë i rëndësishëm, që sa më shumë njerëz të shkojnë të votojnë.

Pastaj, sigurisht, shpresoj që të gjitha partitë politike që do të marrin pjesë në fushatën zgjedhore t’i japin popullit shqiptar mjaftueshëm informacion që ata të mund të marrin vendime të informuara në ditën e zgjedhjeve. Ju e dini që kjo është e vetmja mundësi që qytetarët të vendosin për të ardhmen.

Sigurisht që ka edhe hapa të tjerë të vegjël, por ky është një hap i madh dhe unë pres që debati i partive politike të jetë i mirë, që të përfshijë të gjitha aspektet e mundshme të ardhmërisë së Shqipërisë, jo vetëm në lidhjen me BE-në.

Ju e dini që ne thoshim që në fakt ky është kremtim i demokracisë, se zgjedhjet duhet të kremtojnë demokracinë dhe kam vërtet besim të plotë se Shqipëria do të jetë gjithmonë në rrugën drejt BE-së.

Muhamed Veliu: Komisionere, le të ndalemi pak në një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, shtetin e së drejtës që sapo përmendët. Pra, si i shihni rezultatet e SPAK-ut deri tani dhe sa shqetësuese janë për Komisionin Evropian sulmet ndaj këtij institucioni dhe kreut të këtij institucioni, zotit Dumani, të cilin sapo e takuat, dhe prokurorëve të tjerë specialë?

Komisionerja Marta Kos: Reforma në drejtësi ishte, në fakt, parakushti që të mund të fillonim negociatat. Pra, ky ishte një hap i madh përpara në rrugën tuaj evropiane, por kjo nuk është e lehtë. Ju përmendët shtetin e së drejtës. E dini se çfarë është në të vërtetë shteti i së drejtës? Shtet i së drejtës do të thotë që njerëzit mund t’i besojnë sistemit tuaj, ligjeve tuaja dhe nëse po përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme për popullin shqiptar.

Ndaj, sa i përket SPAK-ut dhe institucioneve të tjera gjyqësore, jam e lumtur që SPAK-u ka qenë i suksesshëm dhe e mbështes vërtet pavarësinë e SPAK-ut, sepse ju e dini se ndarja e pushteteve në çdo vend është shumë e rëndësishme. Kemi parlamentin, kemi pushtetin ekzekutiv, pra qeverinë, dhe pastaj kemi sistemin e pavarur gjyqësor. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me SPAK-un që duhet të jetë i pavarur, ka të bëjë me të gjitha institucionet e drejtësisë që duhet të jenë të pavarura dhe të punojnë në një mjedis ku njerëzit e besojnë realisht se Shqipëria ka një sistem të drejtë apo drejtësi për të gjithë, realisht për të gjithë.

Muhamed Veliu: Komisionere, janë të shqetësuar në Bruksel për sulmet me mënyra të ndryshme ndaj SPAK-ut dhe veçanërisht ndaj zotit Dumani?

Komisionerja Marta Kos: Ne nuk shqetësohemi kur e ndjekim këtë çështje. Deri tani kemi parë që SPAK-u ka funksionuar mirë, ndaj ka besimin tonë. Nuk është asnjëherë… e përmenda edhe më parë, se të kalosh nëpër reforma apo ndryshime, nuk është kurrë e lehtë. Është një proces transformimi dhe jo të gjithë mund të jenë të kënaqur me atë që po ndodh në këtë proces transformimi. Ndaj, sigurisht që po e ndjekim, por nuk jemi të shqetësuar.

Muhamed Veliu: Komisionere, po përballemi me një realitet të ri. SHBA-ja ka tërhequr mbështetjen teknike që i ka dhënë SPAK-ut. Si do të vazhdojë Komisioni Evropian ta mbështesë SPAK-un, veçanërisht për të ruajtur gjënë më të rëndësishme, pavarësinë e tij?

Komisionerja Marta Kos: Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian në procesin e negociatave me Shqipërinë bazohet jo vetëm në faktin që Shqipëria duhet të japë rezultate, por edhe që Bashkimi Evropian të ndihmojë.

E njëjta gjë ka qenë edhe për vendin tim, Slloveninë, për çdo vend tjetër kandidat në të kaluarën, dhe e njëjta gjë është edhe për Shqipërinë. Nuk nuk jemi të kënaqur që disa institucione amerikane po largohen nga financimi i institucioneve të ndryshme, jo vetëm për SPAK-un, por edhe të shumë organizatave të shoqërisë civile.
Jam e lumtur që përmes Planit të Rritjes, sot u konfirmuan dy marrëveshje në parlament, do të mund të ndërhyjmë deri diku.

Për shembull, afro 270 milionë nga një miliard i kemi ndarë për themeloret dhe për shtetin e së drejtës.
Kështu që për këtë nuk kam frikë. Kjo do të thotë… por në të njëjtën kohë, kur flas për reformat e nevojshme dhe mbështetjen e Shqipërisë, është shumë e rëndësishme që ne t’ju sfidojmë gjatë gjithë kohës dhe ju të na sfidoni ne, që të ecim sa më shpejt. Kur them se duhet t’ju sfidojmë, do të kthehem përsëri në kohën kur vendi im, Sllovenia, ishte në procesin e negociatave.

I thamë vetes, o Zot, vërtet duhet t’i bëjmë të gjitha këto? Po. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin që Shqipëria të përgatitet më mirë, por ka të bëjë edhe me faktin që Bashkimi ynë Evropian të jetë i sigurt që kur ju, Shqipëria, të bëhet anëtare e BE-së, do të jetë dicka 100% e mirë për Bashkimin Evropian. Pra, për të dyja palët është e rëndësishme që vendet anëtare të jenë në gjendje ta përqafojnë Shqipërinë dhe sigurisht që me këtë të jenë të kënaqur edhe njerëzit në Shqipëri, të cilët, siç e dini, janë shumë në favor të anëtarësimit në BE.

Dhe nëse mund të shtoj diçka këtu, jam shumë mirënjohëse që mund ta bëjmë këtë intervistë, sepse media mund të luajë një rol vërtet të rëndësishëm. Qeveria nuk mund të arrijë në çdo fshat dhe te çdo qytetar i Shqipërisë, por me ndihmën e medieve mund të përhapim informacione mbi përfitimet e anëtarësimit në BE.

Me ndihmën e gazetarëve të BE-së mund të marrim komente mbi çka njerëzit ndoshta nuk e shohin se po funksionon mirë dhe ne mund ta bëjmë më mirë. Pra, në këtë aspekt, media e lirë apo liria e shprehjes janë shumë të rëndësishme dhe unë e shoh median si aleate për ta bërë këtë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet anëtare.

Dhe një nga detyrat që kam për veten time është të bëjmë një fushatë komunikimi në vendet anëtare ku do të flasim se pse është gjë e mirë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.

Advertisement