Connect with us

Kronike

SPAK në ‘lupë’ pasurinë e vëllezërve Merkaj nga Berati, pastronin paratë e Çapjave

Vëllezërit Merkaj nga Berati janë “subjekti” më i ri i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK ka nisur një hetim pasuror. Përveç tyre nën hetim janë edhe familjarët e tyre dhe rrethi shoqëror, pasi ka dyshime se mund të kenë fshehur pasurinë në emrin e tyre.

Më shumë detaje për hetimet e SPAK ka bërë me dije gazetari, Elton Qyno, i cili shkruan se hetimi për ta ka nisur për “pastrim të veprës penale”. SPAK po kontrollon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bankat, Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe shumë burimeve të tjera, për të zbuluar pasuritë e vëllezërve nga Berati. Kjo pasi një prej tyre, i shpalluri në kërkim klajdi Merkaj ka pasur komunikime në aplikacionin “SkyECC” me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.

Ky i fundit në shumë raste dërgonte eurot me valixhe nga Londra dhe vende të tjera të Europës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj. Paratë më pas investoheshin në Shqipëri, duke ndërtuar komplekse rezidenciale dhe troje. Në emër të Klajdi Merkajt deri më tani, rezulton kompania “Merkaj Invest”. E themeluar në 10 shkurt 2022 me seli në rrugën “Papa Gjon Pali II”, kompania ka si objekt fushën e ndërtimit të të gjitha llojeve duke përfshirë, ndërtimet për qëllime banimi.

SPAK në 'lupë' pasurinë e vëllezërve Merkaj

Ndërsa një tjetër pasuri me emrin “Merkaj 3” është hapur fillimisht në vitin 2013 nga Klajdi Merkaj, kur ky i fundit ishte vetëm 24 vjeç. Kjo shoqëri ka ndërtuar rezidencën e banimit “Mandarine Drive” në zonën e Lundrës, në Tiranë.

Komunikimet në aplikacionin Sky ECC me Franc Çopjen e identifikojnë Merkajn si një person të angazhuar në transferta parash nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë. Në disa raste gjatë vitit 2020, ai i dërgon Çopjes kode postare, që sipas burimeve të hapura rezultojnë të jenë shtëpi në Londër, Luton dhe në periferi të Birmingamit. Ai kujdeset gjithashtu që të shesë makinat e Çopjes si dhe të fshehë pronësinë e dy vilave të tyre në kompleksin “Mandarine Drive”.

“Shtetasi Klajdi Merkaj evidentohet si një nga personat e besuar që mban dhe menaxhon vlera monetare të konsiderueshme cash për llogari të shtetasit Franc Gergely… sipas porosisë dhe orientimit të shtetasit Franc Gergely (Çopja), ka marrë dhe ka transportuar vlera monetare cash, të cilat më pas janë investuar në ndërtim dhe blerjen e pasurive të patundshme për llogari të shtetasit Franc Gergely,” shtohet aty.

Gjithashtu, SPAK po heton 3 vëllezërit Merkaj mbi investimet që ata janë duke kryer në qytetin e Sarandës, pasi ka indicia të forta se në këtë zonë po ndërtohet një hotel.

Advertisement