Connect with us

Kronike

SPAK: Rezart Taçi pastroi 18 milionë euro

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka përfunduar hetimet për Rezart Taçin, kunatin dhe shoferin e tij që do të pastronin në Shqipëri miliona euro të mafias italiane. SPAK ka dërguar për gjykim Rezart Taçin, kunatin e tij Artur Ballën dhe badigardin, Bledar Lilo, të cilët akuzohen se do pastronin 18.4 milionë euro të bosit të Cosa Nostrës Francesco Zummo.

Ndaj ish-bosit të naftës, Rezart Taçi, Artur Ballës dhe Bledar Lilës rëndon akuza për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Taçi është në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet.

SPAK thotë se në përfundim të hetimeve është arritur në përfundimin se Taçi, Balla dhe Lilo, në bashkëpunim me italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli kanë organizuar një skemë për pastrimin e parave në disa vende të botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

18.4 mln euro të mafies italiane ‘Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021. SPAK thotë se Taçi do pastronte 18.4 mln € përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen. Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.

Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia. 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e bllokoi operacionin.

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.

 

Advertisement