Connect with us

Aktualitet

SPAK sekuestron apartamente, vila, tokë, banesë 4 kate dhe llogari bankare

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar detaje të reja nga megaoperacioni ‘Plumbi i Artë 2’ i cili ka nisur që mbrëmjen e së martës ndërsa ka vijuar edhe ditën e djeshme. Nga ky opeacion janë lëshuar 33 masa sigurie ndërsa 15 prej tyre janë ekzekutuar.  Ndërkohë sot SPAK bën me dije se ky aksion kishte si objekt hetimi veprimtarinë e një organizate kriminale me bazë në Elbasan që drejtohej nga Franc dhe Hajdar Çopja.

Ndërkohë raportohet se të dy ndodhen jashtë Shqipërisë, njëri në Belgjikë e tjetri në Dubai. Në njoftimin e ri të SPAK ka bërë me dije se në zbatim të urdhrit të Gjykatës është ushtruar kontroll në 8 ambiente të ndryshme, ku janë sekuestruar mbi 1 milionë euro dhe prova të tjera materiale.

Më tej mësohet se është vendosur sekuestro preventive në 42 pasuri, 38 prej të cilave të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 katësh dhe 4 llogari bankare.

“Në zbatim të vendimit të Gjykatës është ushtruar kontroll në 8 ambiente në ndryshme në përfundim të të cilëve është bërë e mundur sekuestrimi i një shume të madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë në një shumë totale mbi 1 000 000 (një milion) Euro si dhe prova të tjera materiale që paraqesin interes për hetimin e mëtejshëm.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të gjykatës nr. 467, datë 29.07.2024, me objekt “Vendosjen e sekuestros preventive”, janë sekuestruar  42 (dyzet e dy) pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 (katër) katësh dhe katër llogari bankare,”  thuhet në njoftimin e SPAK.

Advertisement