Kosova
Specialja kërkon vijimin e paraburgimit për Thaçin, shkak një video-telefonatë

Një fotografi e publikuar nga djali i Haxhi Shalës në ditën e Pavarësisë së Kosovës, ka ndikuar në vijimin e paraburgimit për Hashim Thaçit. në pamjet e publikuara, dukej Haxhi Shala dhe Hashim Thaçi duke qëndruar bashkë në Qendrën e Paraburgimit, duke biseduar në një telefonatë me video.
Sipas rregullave të Speciales, kjo është e ndaluar, dhe Prokuroria e ka përdorur për të pretenduar se Thaçi mund të ndikojë në këtë mënyrë tek dëshmitarët.
“Pjesëmarrja e dukshme e Thaçit në video-telefonatën e një të burgosuri tjetër, bie ndesh me kushtet e vendosura ndaj tij, nënvizon rrezikun që ai mund të përdorë komunikimin me vizitorët e të burgosurve të tjerë për të vendosur kontakte indirekte me dëshmitarët ose për të shpërndarë informacion konfidencial. Jashtë mjedisit të kontrolluar të Qendrës së Paraburgimit, rreziqe të tilla do të ishin edhe më të mëdha. Prandaj, paraburgimi është mjeti më efektiv për të kufizuar aftësinë e Thaçit për t’u arratisur, përndryshe të pengojë procedurat e KSK-së dhe/ose të kryejë krime të mëtejshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë së Hagës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit 2020. Në po këtë ditë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ishte transferuar për në Hagë. Arsye për këtë ishte ngritja e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

