Shkrime
Stadi i ri i përballjes me Serbinë/ Gadishmëria për luftë
Nga Dr Sadri Ramabaja
Në një ambient postraumatik prej luftës, siç është Kosova, rikthimi i psikologjisë së luftës, arsyetimi moral, ndërlidhet me nevojën për promovimin e një standardi të ri që po promovohet në nivel Europian. Ky standard, i cili normalisht ka pikë referimi në të drejtën ligjore për vetmbrojtje dhe kërkesën për drejtësi, e ndërlidhë edhe me çështjen e moralit publik, që përcaktohet në këtë rast vetëm nga kombi në kohë lufte, duke i dhënë identitet të gjithë shoqërisë. Kushdo që në këtë rast identifikohet si armik, respektivisht palë e ndërmjetme, qoftë edhe palë asnjanëse, identifikohet me të keqen, duke shkelur kështu vlerat që sot mishërojnë atë që më parë vetkuptohej si një rend i moralit të etabluar.
Lufta në Ukrainë sikur kishin paralajmruar analistë serioz, do t’i imponojë Rusisë te rishikojë strategjinë e veprimit jo vetëm në fushbetejat e saj në Ukrainë, por edhe në ato hapësira gjeopolitike që do t’i imponoheshin palëve ndërluftuese.
Lufta në Ukrainë ka imponuar dinamikë konfliktuale të ndarjes, respektivisht të rirreshtimit të kombeve edhe në hemisferën perendimore. Publiku ndërkombëtar ndërkohë po përjeton gjithashtu një dinamikë konfliktuale të ndarjes me përshkallëzimin e ri të mundshëm në Ballkan.
Kur ambasadori amerikan në Beograd, paralajmroi atë se Kosova së shpejti mund të jetë poseduese e njërit prej llojeve më të sofistikuara të armëve moderne, sikur ju vë pika mbi I pikërisht paralajmrimit dinamikës së mundshme konfliktuale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me Christopher Hill, bëri të ditur se SHBA-të i kanë miratuar Prishtinës blerjen e raketave “Javelin”.
Me këtë rast, shkruajnë mediat e rajonit, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave antitank “Javalin” dhe e cilësoj si “zhgënjim i madh për Serbinë”.
Këtë akt, e përditshmja kroate e mirënjohur Slobodna Dallmacija e cilëson atë si lajm tronditës, respektivisht “goditje e Amerikës për Serbinë”.
Duket se ky informacion do të shenjojë “pikën e kthesës” për raportet, respektivisht rivalitetin historik mes shqiptarëve dhe serbëve. Ai sinjalizon gjithashtu vullnetin politik të liderëve të Republikës së Kosovës që Republikën ta shndërrojë në një fuqi ushtarake mbrojtëse.
Në rastin konkret debati për një strategji të ardhshme sigurie rezulton qartë se ka të bëjë në thelb me nevojën për jetë dhe jo për luftë, por fakti që në Europën Juglindore luftën, pas një çerek shekulli, sërish e imponon Serbia, ka të bëjë me rikthimin e ideologëve dhe liderve serb tek shovinizmi tradicional serb.
Në këtë kuadër të zhvillimeve gjeopolitike është e qartë pse Gjermania kërkon të ruajë rëndësinë dhe stabilitetin financiar të NATO-s qoftë edhe përmes vazhdimit të luftës në Ukrainë. Prandaj kancelari gjerman Olaf Sholc pas një takimi me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 9 shkurt, tha: “Le të mos godasim shkurret: mbështetja nga Shtetet e Bashkuara është e domosdoshme nëse Ukraina do të jetë e aftë të mbrohet”. Ndërkaq nëse duam që të parandalojmë përhapjen e flakëve të luftës në Europë, ai e ka të qartë se duhet rritur fuqishëm ndihma ushtarake për Ukrainën, duke i dërguar kështu një “sinjal shumë të qartë” Putinit.
Ndërkohë derisa e gjithë vëmendja e analistëve politik dhe strategëve ushtarak është përqëndruar në parandalimin e shtrirjes së kësaj agjende në Ballkanin Perendimor, kryesisht në Bosnjë e Kosovë. Serbia ka vazhduar me realizimin e “Botës serbe” me mjete të luftës hibride, që po i paraprijnë luftës reale në Malin e Zi dhe së fundmi edhe në Maqedonin e Veriut. Në Malin e Zi përmes Kishës, de fakto, ka arritur objektivin e vet, duke e bërë fakt të kryer një lloj të pushtimit të butë të “Spartës serbe”. Tani Beogradi ka hedhur spirancat edhe në Maqedoninë e Veriut dhe është bërë palë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 8 maj. Por, meqë në Maqedoninë e Veriut Kisha Maqedone sado që është vasale e asaj serbe, nuk mund të jetë garantuese e fitores së bllokut maqedon proserb, LSDM-së, pa mbështetjen edhe të bllokut politik shqiptar.
Në garën mes bllokut politik maqedonas sondazhet vazhdojn ta nxjerrin fitues VMRO DPPMNE. Retorika e saj është tejet antishqiptare, pavarësisht se në aparencë duket se është vetëm anti BDI-së.
Nga na tjetër, beteja politike brenda kampit politik shqiptar, duket si një dhuratë e jashtëzakonshme për VMRO DPPMNE. A do të rezultojë e tillë, kjo mbetet të shihet më 9 maj. Por ajo që mund të konkludohet që tani është fakti se Maqedonia Veriore po hynë në fazën e ridefinimeve politike të brendshme dhe do të ndodhet shpejt para alternativës: ose shkon drejt federalizimit – vetëvendosjes së brendshme të shqiptarëve përmes krijimit të Republikës së Iliridës, duke u dakorduar me Shkupin si kryeqendër e përbashkët, pak a shumë sipas modelit Belg, ose drejt rikonfigurimit të saj të plotë dhe ndarjes.
Beteja politike është mes dy blloqeve politike maqedone: atij që pretendon te ruaj gjendjen e status quosë, LSDM, dhe bllokut për ndryshim radikal, VMRO DPPMNE-së. Në mes janë shqiptarët, por me peshë specifike që përcakton rrjedhën e historisë së Maqedonisë së Veriut si Republikë.
Në rast se forcat maqedone përcaktohen për mbijetesë të Republikës, ata kësaj radhe duhet të marrin në konsideratë me seriozitetin më të madhë të mundshëm edhe interesin jetik shqiptar. Maqedonia prandaj noton e mbijeton si Republikë ose mbytet në varësi të reflektimit politik në raport me interesat shqiptare.
Njohësit e rrethanave në Ballkan kane treguar se Serbia vazhdon të jetë një fenomen i lloit të vet, në momentet më kritike ajo mund të lëvizë andej nga nuk pritet. Këtë lëvizje të Serbisë e paralajmroi edhe Jelena Guskova, akademike ruse. Sipas saj autoritetet në Serbi po e çojnë vendin drejt BE-së dhe NATO-s! Çështja është çka do të përfitojë Serbia me këtë lëvizje të pritshme dhe cili do të jetë fati i Vuçiçit?
Këto pritje tok me paradoksin serb i ka krijuar vet Perednimi, sidomos gjatë dekadës së fundit, me shpresën se do ta shkëpus Beogradin nga orbita ruse.
Në këtë rrjedhë zhvillimesh të papritura Serbia është fare e mundshme që do të pozicionohet shpejt në krahun e atyre që mbështesin projektin e saj strategjik të njohur tashmë nën siglën e Botës serbe. Deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikan fatkeqësisht kanë neglizhuar këtë lëvizje. A do të thotë kjo se ata janë dakorduar me krijimin e “Botës serbe”? Mbetet të shihet në muajt në vijim.
Gjasat reale janë që në këtë proces shuarja e Bosnjës, siç e paralajmeroi pa ekuivok altoparlanti i putinit në Serbi Aleksander Vulin, do të ketë efekt domino dhe do të pasohet me rikonfirmin e hartës politike në Evropën Juglindore.
Në këtë rrjedhë të zhvillimeve gjeopolitike, e rëndësishme është që faktori shqiptar të jetë i zgjuar dhe i gatshëm për veprim konform kërkesave të kohës. Nuk duhet të lejojmë të na kaplojë somnabulizmi i Edi Ramës dhe Ali Ahmetit.
Nga pikëpamja e dallimit midis së mirës dhe së keqes, që është vendimtare për të menduarit moral, e kaluara e afërt duhet të matet me atë se sa vendosmërisht, ose në mënyrë të pavendosur, përgjegjësit janë përballur me armikun. E parë në këtë mënyrë, politika e paqes e dy dekadave të fundit e dy liderve tanë në Tiranë dhe Shkup, Edi Ramës dhe Ali Ahmetit, është tërheqje nga synimet agresive të Serbisë dhe një ftesë për presidentin Aleksander Vuçic për të bërë realitet ëndrrat e tij prej shovinisti. Prandaj Arbër Xhaferi insistonte se Mitrovica ruhet si tërësi organike e Republikës së Kosovës nga Shkupi.
Paralajmrimin që kishte bërë filozofja gjermane me origjinë hebreje, Hannah Arendt tek kishte sinjalizuar për rrezikun që paraqet shovinizmi pansllav, më mirë se kushdo tjetër, e kanë ruajtur në memorien e tyre historike shqiptarët e krahinave tashmë të pushtuara – Toplica, sanxhaku i Nishit, Kurshumlia, Vraja, Novi Pazari … një pjesë prej të cilëve atbotë u ngulitën në brendi të hapësirës shqiptare, kryesisht në vilajetin e Kosovës me qendër Shkupin.
Në këtë rikonfigurim të ardhshëm të hartës politike të Europës Juglindore nuk duhet të lejojmë që krahina të tëra shqiptare qoftë në veriun e Kosovës apo në Verilindjen e MV të kenë fatin e Toplicës.