Connect with us

Kosova

Stano ndryshon gërshërët e qethjes dhe stilin e flokëve, godet Serbinë për Kosovën 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit që u arrit mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023 për normalizim të marrëdhënieve.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.

Po ashtu, ai ka theksuar se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

“Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai, duke iu kundërpërgjigjur ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili ka potencuar se BE-ja nuk do të kërkojë nga Beogradi zyrtar ta njohë de jure pavarësinë e Kosovës nëse anëtarësohet në Union.

Edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është përgjigjur ambasadorit Hill pas deklaratës së tij i cili ka thënë se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja e pavarësisë për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne vazhdojmë punën”, tha Murati në një konferencë për media.

Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme.

Advertisement