Kosova
Stano sulmon Gërvallën pasi kritikoi ashpër Lajçakun e BE-në për dialogun
Pretendime të pasakta i ka cilësuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaratat e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryediplomatja ka akuzuar Miroslav Lajçakun, të dërguarin e BE-së për dialogun për dështim e këtij procesi.
“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në dialog dhe me dështim do largohet kur t’i skadojë mandati” – është shprehur Ministrja e Punëve të Jashtme.
Ndaj këtyre deklaratave Stano ka thënë se “nëse orientimi strategjik i Kosovës është vërtet BE-ja dhe nëse Kosova dëshiron të vazhdojë në këtë rrugë, deklaratat e përhershme kritike të paargumentuara kundër BE-së dhe përfaqësuesve të saj thjesht nuk janë të pranueshme”.
Ai gjithashtu ka deklaruar se përsa i përket dialogut , “është absurde të flitet për mungesë vizioni, strategjie dhe rezultatesh të procesit të lehtësuar nga BE-ja në një situatë kur BE-ja dhe SHBA -ja propozuan Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit”.
Stano ka theksuar se falë ndihmës së BE-së, gjatë periudhës 2019-2024 janë arritur një serë marrëveshjesh mes dy vendeve. Këtu ai ka përmendur Udhërrëfyesin e Energjisë, njohjen e targave, njohjen e kartave të identitetit dhe siç ka thënë, shumë rezultate të tjera me ndikim dhe përfitime konkrete për njerëzit në Kosovë.