Politike
“Sterilizimi”, GJKKO rrëzon kërkesat e Ilir Beqajt
Sot po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj lidhur me koncensionet e sterilizimit. Mësohet se GJKKO ka refuzuar tre kërkesat që ish-ministri Beqaj ka bërë. Beqaj kërkoi që gjatë seancës të jetë i pranishëm Avokati i Shtetit, seanca të jetë e hapur për mediat dhe të thirret Nisma Thurje si kallëzuese e këtij koncensioni në Prokurorinë e Posaçme.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të ‘check up’ po e heton prokurorja Elida Kaçkini.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë.