Aktualitet
Sterilizimi/ GJKKO: Shkëlqim Cani shkeli ligjin kur i miratoi Beqajt…
Në vendimin e GJKKO për konfirmimin e masës ndaj Ilir Beqajt, e siguruar nga Report Tv, gjykata evidenton faktin se më datë 27 nëntor 2014 ministri i atëhershëm i Financave, Shkëlqim Cani, i ka kthyer përgjigje ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe e ka refuzuar miratimin e koncesionit për shkak se sipas shkresës studimi i fizibilitetit kishte mangësi në dokumentacion.
“Referuar VKM nr. 575/2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, (neni 9) vetëm projektet, që plotësojnë të gjitha kushtet e përcaktuara në këtë nen mund të vijojnë me paraqitjen për miratim në Ministrinë e Financave në rast kërkesë për mbështetje financiare. Evidentojmë këtu faktin që studimi i fizibilitetit është i pashoqëruar me argumentimin e Autoritetit Kontraktor për dhënien me konçesion/partneritet publik privat, i cili duhet të tregojë përmbushjen e kushteve të parashikuara në nenin 9 të VKM nr. 575/2013. Sjellim në vëmendjen tuaj, se një nga elementet, që duhet të përmbajë rezultati i studimit të fizibilitet është të tregojë se: alternativa përmes së cilës është parashikuar të përfundojë projekti nëpërmjet dhënies së një kontrate me koncesion/PPP është më e dobishme në krahasim me alternativën e dhënies së një kontrate prokurimi publik.
Gjykata thotë në vendim se nga provat e administruara rezulton se, nga Ministri i Shëndetësisë është paraqitur i njëjti Studim i Fizibilitetit i cili ishte refuzuar më parë për financim nga Ministria e Financave, pasi nuk ka një argumentim të qartë në lidhje me analizën e zhvilluar për arritjen në konkluzionin që koncesioni/PPP është procedurë ekonomikisht më e favorshme se prokurimi public, si dhe treguesit që janë vlerësuar në përputhje me parashikimet e bëra në VKM nr. 575/2013. Ndërkohë që pas ridërgimit Cani e miratoi.
“Gjithashtu, nuk rezulton që Studimi i Fizibilitetit të jetë ndryshuar dhe miratuar ndonjë ndryshim pasi refuzimit nga Ministria e Financave. Ndodhur në këto kushte, kur jemi përpara të njëjtit Studim Fizibiliteti mbetet e paqartë se ҫfarë e bëri të ndryshonte mendim Ministrin e Financave z.Sh. C. vetëm 1 muaj e 15 ditë më vonë, duke e miratuar në parim propozimin për financim me shkresën Nr. 16067/3 Prot., datë 12.01.2015. Po ashtu, mbetet e paqartë përgjigja e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo shikon dokumentacionin vetëm nga “pikëpamja formale”. Nëse kjo e fundit e shikon dokumentacionin nga pikëpamja formale a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar? Nëse e shikonte dokumentacionin nga pikëpamja formale dhe Studimin i Fizibilitetit ka qenë i njëjtë nga pikëpamja formale pse e refuzoi herën e parë nga pikëpamja e përmbajtjes (thelbësore)?” evidenton dosja e GJKKO.
Gjykata çmon se, Ilir Beqaj, në cilësinë e ish Ministrit të Shëndetësisë, në miratimin e studimit të fizibilitetit dhe paraqitjen më pas për miratim në Ministrinë e Financave, si dhe ish Ministri i Financave Shkëlqim Cani në dhënien e miratimit paraprak për financimin e konçesionit me të sterilizimit kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Gjithashtu, Gjykata çmon të theksojë se nëse nga ana e Shkëlqim Canit dhe personave në varësit të tij (në mënyrë hierarkike) do të ishin ushtruar kompetencat në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, në rastin konkret nuk do të nuk do të ishte shkaktuar dëmi ekonomik i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vlerat rreth 460, 000,000 lekë për vitin 2017, dhe rreth 302, 000, 000 lekë për vitin 2018.
“Gjykata çmon të theksojë ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ish Ministrin e Financave Shkëlqim Cani, në rastin konkret ka vepruar me dashje, pasi nuk ka asnjë arsye objektive e të përligjura që për të njëjtin studim fizibiliteti brenda një harku kohor prej 1 muaj e 15 ditë, të ketë dy përgjigje diametralisht të kundërta.
“Ish Ministri i Financave z. Sh. C. ka ndihmuar në realizimin e qëllimit kriminal të personit nën hetim I.B. dhe vartësve të tij (personat nën hetim në të njëjtin procedim) për vijim e dhënies së konçesionit të sterilizimit në kundërshtim me ligjin fituesve të paracaktuar. Në rastin konkret personi nën hetim I.B. ka shërbyer si shtytës ndërsa z.Sh. C. në rolin e ndihmësit”, thuhet në vendimin e GJKKO.
‘Koncesioni i Sterilizimit’, personat nën hetim dhe masat e sigurisë
Shenim: Vendimi është marrë i anonimizuar sipas ligjit për të drejtën e informimit.
Në zhvillimet më poshtë gjeni detaje të tjera nga vendimi i GJKKO-se për caktimin e masës së sigurisë, ndaj Ilir Beqajt