Rajon
Stojkoviq: Deklarata e Vulinit është gënjeshtër, po e mbulon Vuçiqin
Avokati i Nikola Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, ka thënë se deklarata e ish-drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, se ka dhënë urdhrin për ndalimin e Sanduloviqit, është gënjeshtër. Sipas tij, Vulini po e merr përgjegjësinë për ta mbuluar presidentin Aleksandër Vuçiq.
Stojkoviq ka deklaruar se Vulini nuk mundi ta urdhëronte ndalimin e Sanduloviqit pasi Vuçiqi i tha të jepte dorëheqje dy muaj para se Sanduloviq të vendoste lule në Prekaz.
“Vulin nuk e urdhëroi arrestimin sepse as nuk mundi ta urdhëronte – sepse Aleksandar Vuçiq i tha të jepte dorëheqjen dy muaj para se Sanduloviq të postonte në rrjetin social X për vendosjen e luleve mbi varret e shqiptarëve. Kjo është një deklaratë e dakorduar mes Aleksandar Vuçiqit dhe Aleksandar Vulinit, sepse karriera politike e Vulinit në Serbi ka përfunduar në marrëveshje me Vuçiqin, dhe tani ai mund (në mënyrë të rreme) të marrë përgjegjësinë për gjithçka që i shkakton dëm ndërkombëtar regjimit të Aleksandër Vuçiqit”, ka shkruar Stojkoviq në ‘X’.
Vulin thotë se Sanduloviq u ndalua me urdhër të tij
Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, ka thënë se politikani opozitar Nikola Sanduloviq është ndaluar me urdhër të tij, të cilin thotë se e ka dhënë sa ishte në krye të BIA-s.
Vulin, e mori përsipër se është ai që dha urdhër që politikani serb, Nikola Sanduloviq, i cili vizitoi Prekazin dhe kërkoi falje për krimet e Serbisë në Kosovë, të kidnapohet e maltretohet deri në paralizim të tij.
Në deklarim për mediat serbe, Vulin i kërkoi falje Serbisë se nuk mund të bënte më shumë, duke aluduar në mos vrasjen e Sanduloviqit, për të cilin tha se ishte pak ajo cfarë i bëri Shërbimi Sekret Serb.
“Sanduloviq është ndaluar sipas urdhrit tim, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Ai u ndalua nën dyshimin për cenim të rendit kushtetues dhe duke punuar aktivisht për të mbështetur shkëputjen e të ashtuquajturës Kosovës. Nëse Sanduloviqi do të kishte vendosur kurorë në varrin e Hitlerit, Mossadi do ta kishte vrarë. Nëse do të kishte vendosur kurorë në varrin e Osama bin Ladenit, CIA do t’ia kishte gjetur kokën. Duke vendosur një kurorë në varrin e vrasësit të serbëve, Adem Jashari, Sanduloviq është ndaluar me urdhër timin dhe të prokurorit. I kërkoj falje Serbisë që nuk mund të bëj më shumë. Nuk e di a janë aktive urdhërarrestet e mia për tradhtarët e tjerë, por shpresoj që po, që t’i çoj ata para prokurorëve kompetentë”, ka thënë Vulin, i cili dha dorëheqje nga kreu i BIA-s pasi u fut në listën e zezë të SHBA-së.
Sanduloviq u ndalua nga BIA të mërkurën. Ai është rrahur dhe aktualisht po trajtohet në një spital ushtarak. Sipas familjes dhe avokatit të Sanduloviqit, arsyeja për ndalimin ishte një postim i tij në “X” duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.