Kosova
Stoltenberg flet për Kosovën/ Çfarë thuhet në raportin vjetor të NATO
Prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e përvjetshëm të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do ta prezantojë të enjten në selinë qendrore në Bruksel të Belgjikës.
Në raportin e NATO-s gjendet një referencë indirekte mbi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj trupave të Forcës së NATO-s në vend (KFOR) në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës dhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra një polic.
“KFOR-i në vitin 2023 luajti rol kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një dekadë. Kjo i mundësoi KFOR-it të trefishojë numrin e patrullimeve dhe katërfishojë praninë në veri”.
Në raportin e Stoltenbergut në prag të 75 vjetorit të NATO-s nënvizohet se për shumë vite radhazi misioni paqeruajtës i KFOR-it ruajti një ambient të sigurt dhe garantoi lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare sikurse Bashkimin Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Gjithashtu, në këtë raport shprehet mbështetja e pakushtëzuar e NATO-s për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërjmet Kosovës dhe Serbisë nën ndërjmetësimin e BE-së, duke e konsideruar njëkohësisht platformën e vetme për arritjen e zgjidhjeve në drejtim të paqes së qëndrueshme dhe sigurinë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.