Connect with us

Kosova

Stoltenberg ‘i rreptë’, i do në pranga dhunuesit e KFOR në veri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media, pas takimit që e ka zhvilluar këtë të enjte me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Veri, të mbahen përgjegjës.

“Sulmi ndaj paqeruajtësve të personelit të NATO-s që ka ndodhur në maj të këtij viti është absolutisht i papranueshëm dhe është shumë e rëndësishme që ata që janë përgjegjës për vepra të tilla të mbahen përgjegjës”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “ka hetime të thella nga autoritetet e Kosovës, dhe kemi po ashtu edhe misionin e EULEX-it në Kosovë dhe sigurisht reaguesi i tretë është vetë KFOR-i”.

“Mandati ynë bazohet në bazë të mandatit të dhënë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe mandati ynë është që të sigurojmë një ambient të sigurt e të rregullt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, shtoi.

Edhe një herë, pohoi ai, “kemi të bëjmë me autoritetet ligjzbatuese, çështje që është shumë me rëndësi”, sepse shton ai, “është e papranueshme që paqeruajtësit, ata që kanë mandat të qartë, të sulmohen, pra është një numër i lartë i personelit të lënduar dhe të plagosur, të cilët kanë pasur plagë që rrezikojnë jetën”.

“Po, ata që janë përgjegjës duhet të mbahen para drejtësisë, ndërkohë që ka hetime të vazhdueshme”.

Më 29 maj, protestuesit e dhunshëm serbë, të cilët po kundërshtonin vendimin për hyrjen e kryetarëve të zgjedhur të komunave Veriore në zyrat e tyre, kishin sulmuar ushtarët paqeruajtës të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Si pasojë, dhjetëra ushtarë të KFOR-it kishin mbetur të lënduar, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Advertisement