Bota
Studimi i fundit/ Pesha e gradaçelave po shkakton fundosjen e qytetit New York në SHBA

Pesha e ndërtesave të Qytetit të Nju Jorkut po shkakton fundosjen e metropolit, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, tha një studim i ri.
Qyteti po bie me një shpejtësi mesatare prej 1-2 milimetrash në vit, sipas një studimi të publikuar këtë muaj në revistën shkencore Earth’s Future teksa sipas saj, disa zona po fundosen shumë më shpejt se mesatarja.
Në disa zona si Lower Manhattan, Brooklyn dhe Queens, ku toka është më e butë, fundosja arrin deri në 4 milimetra në vit, këto janë zonat më të prekshme të territorit. Fenomeni është i ngadaltë por konstant: po flasim për rreth 20 milimetra në 10 vjet, asgjë e menjëhershme, por e mjaftueshme për të kërkuar vëmendje afatgjatë dhe ndërhyrje të synuara me kalimin e kohës.
Fenomeni, i njohur si fundosje, e vë Qytetin e Nju Jorkut në një rrezik më të madh përmbytjesh, një rrezik i përkeqësuar nga rritja e nivelit të detit dhe stuhitë më intensive. Ndërtesat e Qytetit të Nju Jorkut u vlerësuan të kenë një peshë kumulative prej 1.68 trilion libbre – (50 libbre = 22,68 kg). Ka pak më shumë se 1 milion ndërtesa në pesë lagje, me strukturën mesatare që peshon 1.55 milion libbre. Studiuesit llogaritën vetëm peshën e ndërtesave dhe përmbajtjes së tyre, dhe nuk përfshinë tipare urbane si rrugët, urat dhe metrotë, që do të thotë se pesha aktuale e qytetit ka të ngjarë të jetë më e rëndë se vlerësimi.
Rrokaqiejt e qytetit ushtrojnë presionin më të madh poshtë, por shumica janë ndërtuar mbi shkëmbinj themelorë, ndërsa strukturat e tjera janë të vendosura mbi rërë dhe argjilë më të butë. Qyteti i Nju Jorkut është ndërtuar mbi ujë, me lagjen qendrore të Manhattanit të dendur të vendosur në një ishull të ngushtë.
Qytete të tjera në të gjithë botën po fundosen gjithashtu për shkak të modeleve më të dendura të ndërtimit dhe përballen me rreziqe të ngjashme, thanë autorët e studimit, duke paralajmëruar për “një problem përshpejtues përgjatë zonave bregdetare dhe bregut të lumit”.
Proceset natyrore, të tilla si efektet e pllakave tektonike, gjithashtu kontribuojnë në ndryshimin e lartësisë.
Shkencëtarët arritën në gjetjet e tyre duke llogaritur peshën e ndërtesave të qytetit, duke modeluar presionin poshtë që ato ushtrojnë dhe duke matur ndryshimin e lartësisë duke përdorur të dhëna satelitore.

