Kosova
Sulmi i 24 shtatorit/ E vërteta tragjike e mungesës së hetimit, Kosova shpallet fajtore
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për shtyp, njoftoi se institucionet evropiane ende nuk e kanë marrë raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës shtatorin e vitit të kaluar.
“Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse i referoheni incidentit të 24 shtatorit në Banjskë, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimor. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, deklaroi Stano.
“Menjëherë pas sulmit, në ditët, javët dhe muajt që pasuan, ne e bëmë të qartë qëndrimin tonë se çfarë presim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia kur është fjala edhe për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e mundshme për këtë sulm të tmerrshëm. E gjithë kjo do të duhej të jetë pjesë e hetimit, gjetjet e së cilit shpresojmë se do të përfshihen në raportin përfundimtar”. – deklaroi Stano
Qeveria e Kosovës pretendon se tashmë u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe, nën udhëheqjen e ish-kryetarit të Listës Serbe – forca më e madhe e serbëve të Kosovës – Millan Radoiçiç, porse asnjë lëvizje nuk është bërë në këtë drejtim.
Kujtojmë se ekzekutivi kosovar ka akuzuar vazhdimisht edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSK) për mosngritje të aktuakuzave për paramilitarët serbë në veri të vendit, duke fajësuar gjithashtu autoritetet kosovare të drejtësisë për mungesë të raportit zyrtar të hartuar nga organet kompetente për inkursionin terrorist në mënyrë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.