Rajon
Sulmi kibernetik/ Maqedonia solidarizohet me Shqipërinë
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas sulmit kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë duke thënë se dënon ashpër sulmin.
“Maqedonia e Veriut solidarizohet me Qeverinë e Shqipërisë, i mbështet masat e marra në këtë kontekst dhe bën thirrje për përgjegjësi për autorët e aktiviteteve të tilla malinje destabilizuese, që e rrezikojnë jo vetëm sigurinë nacionale të Shqipërisë, por kanë edhe implikime më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare. Sulmet e këtilla destruktive paraqesin shkelje flagrante të normave të së drejtës ndërkombëtare, përpjekje për të minuar sovranitetin e Shqipërisë si dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve të saj. Me qëllim mbrojtjen e interesave të saja, por edhe të interesave të secilit vend anëtar të NATO-s dhe aleatëve të tij, mbetemi të unifikuar në kuadër të Aleancës në ballafaqimin me të gjitha sfidat që i kanosen rendit dhe sigurisë ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Sulmi kibernetik në platformat qeveritare online ka ardhur më 17 korrik, ku u dyshua se vinte nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende evropiane. Pas sulmit, qeveria garantoi të gjithë shqiptarët se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta. Hetimet nisën, ndërsa Rama pretendonte se ishin dy të dyshuar kryesorë që kishin orkestruar sulmin, por kurrë nuk përmendi emra deri më sot.