Aktualitet
Sulmi ndaj Top Channel, reagon Arbana Osmani
Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar për herë të parë për sulmin ndaj “Top Channel”, ku për pasojë mbeti i vrarë një person, Pal Kola, roja i sigurisë.
Kujtojmë se breshëritë e kallashnikovit janë regjistruar në mesnatë drejt godinës së Top Channel në Mëzes, afër shtëpisë së Big Brother. Të shtënat me armë i morën jetën rojës së godinës së televizionit, Pal Kola, 60 vjeç. Pas sulmit, është gjetur një mjet i djegur në Golem që kishte në brendësi dy kallashnikovë, dyshohet se aktin e kanë kryer të paktën 3 autorë të cilët janë në kërkim. Krerët e shtetit dhe politikës, gjithashtu edhe organizatat ndërkombëtare që operojnë si vende partnere në Shqipëri kanë shprehur ngushëllimet dhe kanë dënuar aktin.
Ende nuk dihet me çfarë motivi autorët qëlluan pa mëshirë me kallashnikov duke e lënë të vdekur në vend punonjësin e sigurisë. Grupi hetimor është fokusuar në dy pista, një prej tyre mund të jetë një mesazh për pronarët e Top Channel, ndërsa një tjetër pistë është edhe një mesazh kundër produksionit të Big Brother. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.