Kronike
Sulmi ndaj Top Channel/ Roberto Papçi deklarohet për ngjarjen e rëndë
Roberto Papçi, ish-dhëndrri i Pal Kolës, rojës së sigurisë që mbeti i vrarë në sulmin që iu bë Top Channel bashkë me të ndaluarin tjetër, Agustin Tonaj, kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Mësohet se dyshja janë marrë në pyetje për orë me radhë pas ndalimit të tyre në Vlorë.
Dyshja, me origjinë nga Shkodra, u ndaluan një ditë më parë në Vlorë. Ata ishin pikasur nga kamerat e sigurisë teksa hidhnin diçka në hyrje të Vlorës dhe policia, me dyshimet se bëhej fjalë për armë zjarri, i ka shoqëruar në komisariat për t’i marrë në pyetje. Pikërisht gjatë procesit, blutë e Vlorës kanë kuptuar se njëri prej të ndaluarve ishte ish-dhëndrri i Kolës.
Por, sërish nuk janë tërhequr pasi janë vënë në dijeni të problemeve mes dy familjeve. Roberto Papçi, dy vite më parë është divorcuar nga vajza e Kolës dhe çifti kanë pasur konflikte për ndarjen dhe kujdestarinë e fëmijëve.
Papçit dhe Tonajt u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre. Po ashtu u janë marrë edhe shenjat e gishtave, ndaj priten përgjigje më konkrete lidhur me rolin e tyre në këtë ngjarje, pas përfundimit të analizave. Konfirmimi i pjesëmarrjes së tyre në sulmin me armë zjarri ndaj televizionit kombëtar që tronditi vendin mesnatën e kaluar do të shënonte një kthesë të fortë, duke konkluduar se ngjarja që tronditi vendin nuk ishte një ‘atentat’ ndaj fjalës së lirë, por konflikt personal.