Connect with us

Kosova

Sulmi në Banjskë s’do jetë i fundit/ Lisica: Terroristët dërguan mesazh të qartë për rajonin

Admir Lisica, historian boshnjak dhe analist i çështjeve gjeopolitike, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjsë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Duke gjykuar në bazë të proceseve historike në Ballkanin Perëndimor, ai ka thënë se konflikti i armatosur në Kosovë mund të përhapej në masë të madhe edhe në territoret e shteteve fqinje, dhe ka shtuar se grupi i paramilitarëve serbë ka dërguar një mesazh të qartë për të gjithë rajonin se janë të gatshëm të ndezin zjarrin e luftës.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur, ku përveç dëshmive që grupi terrorist është stërvitur në Serbi, në mesin e provave janë edhe formularë të lëshuar nga ushtria serbe për një arsenal armësh që i janë dhënë në shfrytëzim kësaj bande kriminale për sulmin e organizuar ndaj Kosovës.

“Gjithçka tregon se Serbia ende nuk është e gatshme të përballet me keqbërjet e saj, dhe përveç kësaj, ajo vazhdon me politikat destruktive të ‘botës serbe’, për qëllimin përfundimtar të së cilës tashmë dimë shumë. Këtë herë nuk ka pasur sukses, por jam i sigurt se ky nuk është incidenti i fundit i armatosur në Kosovë”, ka theksuar Lisica duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kërkojnë përgjigje nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe të sanksionojnë të gjithë ata që janë përgjegjës për inkursionin në Kosovë që, sipas tij, mund ta çojë Ballkanin Perëndimor në një kaos të ri.

Advertisement