Politike
Sulmi në Gramsh, Berisha: Rama agjent i Kremlinit
Incidenti në Uzinën e Gramshit e të Poliçanit kanë sjellë reagime nga Opozita sot. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkoi ndalimin e hyrjes në territorin shqiptar të çdo shtetasi rus. Në konferencën e sotme, Meta tha se Ushtria shqiptare është në gjendje shumë të rëndë, ndërsa i kërkoi kryeministrit Edi Rama të ndalojë hyrjen e rusëve në Shqipëri.
Kryetari i Partisë Demokratike Berisha fajësoi kryeministrin Edi Rama për incidentin me grupin e rusëve që u përplasën me ushtarët në Uzinën e Armëve në Gramsh. Berisha tha se Rama ka cënuar sigurinë kombëtare, ndërsa vuri gishtin edhe te puna e shërbimit tonë Informativ, që sipas tij ka dështuar të monitorojë situatën.
Berisha shtoi se kryeministri Edi Rama e ka sjellë Rusinë në Shqipëri përmes projektit ‘Open Balkan’. Në një deklartaë për mediat, Berisha tha se Rama po vepron në Tiranë si një agjent i Kremlinit. Ai shtoi se Open Balkan ka marrë mbështetjen e vetë ministrit rus, Sergei Lavrov.
Ndërsa, Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, tha se në ngjarja e cila kishte dyshime për aktivitet spiunazhi u asgjësua ende pa nisur. Balla tha se institucionet shqiptare treguan se ishin në nivelin e duhur. Referuar Opozitës, Balla tha se ‘gjelat’ duhet të presin përfundimin e hetimeve.
Ministrat Bledi Çuçi e Niko Peleshi nuk e konsideruan cënim të sigurisë Kombëtare. Ata u shprehën se uzinat janë të deklasifikuara, por që hetimet do të tregojnë nëse kemi të bëjmë me spiunazh apo turistë aventurierë.