Connect with us

Politike

Sulmi në Top Channel me një viktimë, reagojnë Meta, Veliaj e Alibeaj

Kryetari i PL-së, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit Pal Kola pas sulmit Top Channel.

“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë.

Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë.

Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve.

Dhe do të marrë fund, shumë shpejt!”- shkruan Meta.

Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për sulmin gjatë natës në Top Channel ku mbeti viktimë Pal Kola, roje. Ai u shpreh se ky ëhstë një sulm ndaj medias dhe fjalës së lirë.

“Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend.

Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel.”- shkruan Alibeaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka cilësuar akt kriminal sulmin me armë drejt godinës së Top Channel, ku humbi jetën roja Pal Kola, 60 vjeç.

“Sot jemi të gjithë solidarë me Top Channel, pas aktit kriminal të mbrëmjes së djeshme, që i mori jetën një personeli të sigurisë.

Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe mbështetje agjencive ligjzbatuese për zbardhjen sa më parë të ngjarjes”, shkroi Veliaj.

Advertisement