Connect with us

Kosova

Sulmohet në burg dhunuesi i 11-vjeçares, reagon SHKK

Ekrem Rexhepi është njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, ndaj të cilit tashmë është caktuar masa e paraburgimit. Mirëpo, atij i është ndërruar qendra e paraburgimit. Avokati i tij, Fitim Limani, tha se kjo është bërë pasi klienti i tij është sulmuar nga disa të burgosur, ndërsa nga Shërbimi Korrektues e mohuan këtë. Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Gjykatën Themelore në Prishtinë, për të kuptuar se pse i është ndërruar qendra e paraburgimit Ekrem Rexhepit.

Në media është raportuar sot se Ekrem Rexhepi, një nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, është sulmuar nga të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe se për këtë arsye i është ndërruar qendra e paraburgimit.

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës thanë se 26-vjeçari është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë, por mohuan se ka pasur sulm ndaj tij.

“Nuk është sulmuar. Është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Avokati i Rexhepit, Fitim Limani, ka thënë se mbrëmë është njoftuar nga Gjykata për transferimin e klientit të tij në Burgun e Sigurisë së Lartë, pasi ka qenë i sulmuar nga të burgosurit e tjerë.

“Gjendja e tij s’është e mirë, mbrëmë kam marrë informatë prej gjykatës që ai ndodhet në burgun e Sigurisë së Lartë, është transferuar nga Prishtina pasi ka qenë i sulmuar nga të burgosurit e tjerë. Transferimi ka ndodh meqenëse i është rrezikuar edhe jeta, për shkak të sulmeve që ka pasur nga të burgosurit e tjerë, ia kanë ndërru pra qendrën e paraburgimit”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi tha se ndërrimi i qendrës së paraburgimit është bërë pasi disa persona kanë tentuar ta sulmojnë të dyshuarin.

“Qendra e paraburgimit ka bërë kërkesë që të dyshuarit t’i ndërrohet qendra për shkak se disa persona kanë tentuar ta sulmojnë atë dhe një kërkesë e tillë është aprovuar nga Gjykata”, tha Gashi për Express.

Advertisement