Kosova
Sveçla: Nuk mund të zmbrapsemi para kriminelëve
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se, përmes, siç ka thënë ai, grupeve kriminale, po tenton ta destabilizojë Kosovën.
Ai ka thënë se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që organizatat, Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen organizata terroriste, në mënyrë që autoritetet e Kosovës t’i luftojnë ato në mënyrë më efikase.
Ai ka thënë se pjesëtarë të komunitetit serb, të arrestuar javëve të fundit në Kosovë, janë “kriminelë që në të kaluarën janë toleruar dhe amnistuar”.
Në mesin e të arrestuarve nga radhët e komunitetit serb janë: Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq.
Sipas autoriteteve të Kosovës, ata janë arrestuar për veprime kundër rendit kushtetues, si dhe për sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe gazetarëve, gjatë raportimeve në veri të vendit.
Në një konferencë për media me gazetarë nga Mitrovica e Jugut, Sveçla ka thënë se Kosova nuk do të zmbrapset ndaj kriminelëve.
“Sundimi i ligjit për ne është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit. Të gjitha këto veprime policore, arrestime që po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zmbrapsemi mbrapa kriminelëve, dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
Duke e komentuar operacionin e Kosovës në veri më 23 qershor, ku është konfiskuar një makinë me targa të Beogradit, me armatim dhe pajisje shpërthyese, Sveçla ka thënë Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e kanë parandaluar një sulm terrorist.