Connect with us

Kosova

Sveçla: Të gjitha patrullat policore do të pajisen me armë të gjata

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të gjitha patrullat policore në vend do të pajisjen me armë të gjata.

“Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Megjithatë, ministri i Brendshëm nuk bëri të ditur se për sa armë të blera bëhet fjalë, por ai vetëm falënderoi Kroacinë “për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë vit është buxheti më i madh në vitet e fundit, dhe kap vlerën prej 216.523.467 eurosh. Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë, të cilët kanë grada të ndryshme. Policia është reaguesja e parë e sigurisë në Kosovë dhe më pas vjen misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR. Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës KFOR-i, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

Njoftimi për blerjen e armëve të gjata për zyrtarët policorë vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërtanke, Javelin, që prodhohen në SHBA, për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Procesi i miratimit të këtyre armëve për Kosovën duhet të marrë pëlqimin e Kongresit amerikan.

Marrë nga REL

Advertisement