Sport
Sylvinho ndryshon formacionin: Gjashtë fytyra të reja ndaj Ishujve Faroe
Në mbrëmje, Shqipëria do të zbresë në fushë për ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2024, ndaj Ishujve Faroe. Dy ekstremet e renditjes në Grupin E do të përplasen në Arena Kombëtare me kuqezinjtë që duan një pikë për të qenë të sigurtë për vendin e parë. Një ndeshje, që duhet të pasohet me festë e që e lejon teknikun Sylvinho të bëjë lëvizje në formacion, për të freskuar skuadrën. Në një stadium krejtësisht të mbushur, me të gjitha biletat të shitura, kombëtarja shqiptare do të kërkojë ta mbyllë me një fitore ndaj Ishujve Faroe, për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive radhazi. Kundër Ishujve Faroe do të ishte ndeshja e 7 radhazi pa humbje, në tetë përballjet kualifikuese: tetë megjithë miqësoren kundër Bullgarisë. Tekniku Sylvinho e parapriu në konferencën për shtyp faktin se do të bëjë ndryshime në formacion. Gjë që, në fakt, e bëri edhe pas Çekisë e para Bullgarisë. Edhe atëherë i njëjti numër ndryshimesh pothuajse, 6. Në portë kthehet të luajë Strakosha, i mbrojtur nga një katërshe difensive që do të ketë vetëm një ndryshim. Balliu do të marrë vendin e Hysajt, ndërsa Mitaj, Ismajli dhe Gjimshiti me shumë mundësi do të rikonfirmohen. Pushim për Asllanin dhe hapësirë për Baren, që do të formojë partneritetin me Ramadanin. E njëjta gjë edhe për Bajramin, që do t’i lejojë vendin Muçit, pas shpinës së Dakut si sulmues i vetëm. Në krahët e ofensivës kuqezi do të jenë Uzuni, në vend të Seferit dhe Asani, që do të vazhdojë të mbajë vendin e tij, i favorizuar ndaj Mujës. Formacioni i mundshëm: Strakosha, Mitaj, Ismajli, Gjimshiti, Balliu, Ramadani, Bare, Asani, Uzuni, Muçi, Daku