LAJMI I FUNDIT
Synimi i Kurtit është shkatërrimi i shanseve për zbutjen e tensioneve
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka mohuar pretendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me përfshirjen e zëvendëskryeministrit të Serbisë, njëherazi ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, në organizimin e sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
“Gënjeshtrat, fyerjet dhe shpifjet që Kurti nxjerr çdo ditë si pjesë e një fushate të ndyrë mediatike kundër shtetit të Serbisë dhe lidershipit të saj, shfaqin plotësisht synimet për të shkatërruar çdo mundësi për qetësimin e tensioneve” – thuhet në njoftimin e ministrisë serbe
Numri një i Qeverisë së Kosovës, teksa ka komentuar rolin e kryetarit të Partisë Progresive Serbe në sulmin vdekjeprurës të 24 shtatorit, ka thënë se bëhet fjalë për “Klanin e Novi Sadit”, duke iu referuar faktit se Vuçeviç ka qenë tri herë i zgjedhur kryebashkiak i këtij qyteti në veri të Serbisë.
“Jemi të bindur se deklaratat, si dhe një sërë deklaratash shpifëse të përfaqësuesve të institucioneve të Prishtinës, janë dëshmi se interesi i tyre është të shkaktojnë kaos dhe dhunë, kurse interesi ynë është ruajtja e paqes, vazhdimi i dialogut dhe arritja e një zgjidhje politike për krizën në Kosovë”
Kryeministri Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka theksuar se Vuçeviç ka marrë ndihmë edhe nga pjesëtari i rrjetit të krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës, Zvonko Veselinoviç, i cili ndodhet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka deklaruar gjithashtu se rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës më 24 shtator ishin nga Novi Sadi, duke shtuar se nëse kjo ishte e rastësishme, do ta tregojnë hetimet. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Sërpska – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Millan Radojiçiç, sipas kreut të ekzekutivit, po qëndron në Rashkë.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tani vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.
Kryeministri Kurti ndër të tjera ka potencuar se në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposavic, Zveçan dhe Zubin Potok – po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të tifo-grupit të klubit futbollistik serb “Cërvena Zvezda (Ylli i Kuq)” i njohur për aktivitetet e tyre kriminale në Ballkanin Perëndimor.
Në fund, kreu i ekzekutivit kosovar ka pyetur se mos do duhej që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të formojnë një Gjykatë Speciale për “Klanin e Novi Sadit”, sepse vetëm kështu, mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni do të hapej ndaj demokracisë evropiane, paqes dhe zhvillimit të përshpejtuar.