Connect with us

Kosova

Takimi me Bislimin/ Lajçak: Jemi pajtuar për hapat e parë drejt shtensionimit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Kosova është pajtuar për hapat e parë drejt arritjes së shtesionimit të situatës në veri të shtetit.

Lajçak tha se të hënën në Bratisllavë ka zhvilluar “bisedime intensive” me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kemi biseduar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të BE-së më 3 qershor, dhe për mënyrën përpara për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi pajtuar për hapat e parë drejt arritjes së këtij qëllimi”, shkroi Lajçak në Twitter.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e policisë.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe që atëherë kanë protestuar në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
  • Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
  • Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.

Kryetarët e rinj në komunat veriore u zgjodhën më 23 prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe.

Advertisement