Kosova
Takohemi vitin tjetër, nëse moti do jetë i mirë/ Dialogu Kosovë-Serbi
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, planifikohej të arrihej në fund të vitit 2023. Ky afat nuk do të realizohet dhe tashmë marrëveshja, përpos ndikimit nga dy luftëra, ajo në Ukrainë dhe tjetra në Lindjen e Mesme, do të matet në kontekstin e zgjedhjeve në Serbi.
Drejtori i Institutit “Musine Kokalari” për Politika Sociale në Prishtinë, Visar Ymeri, ndonëse vlerëson se në takimin e fundit të nivelit të lartë në tetor, ka pasur njëfarë “dakordimi cilësor” për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), nuk pritet të ketë “asgjë të re për publikun” javët në vijim.
“Zgjedhjet në Serbi duket se përfundimisht e kanë ngadalësuar jashtëzakonisht shumë dialogun në kuptimin e takimeve në Bruksel në kuadër të këtij procesi. Prandaj nuk duket se do të ketë ndonjë gjë të re për publikun në këtë drejtim gjatë këtij viti” – vlerësoi Ymeri, teksa edhe ka kritikuar praktikën e konfidencialitetit lidhur me procesin e dialogut.
Shumë skeptik shprehet edhe ligjëruesi i Medias dhe Konfliktit në Univesitetin e Agderit në Norvergji, Abit Hoxha, i cili vlerëson se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një marrëveshje që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes dy fqinjëve armiqësorë që assesi të dalin nga dinamika parakonfliktuale.