Connect with us

Politike

Taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e paligjshme

Juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka komentuar situatën politike në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Gjikondi është shprehur se deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta se është i pafajshëm dhe se çdo gjë që ka ndodhur është bërë nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është taktikë e të dyve që të shpëtojnë pronat e tyre të vëna në mënyrë të paligjshme.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në izolim ish-kryeministrin Sali Berisha, juristja e quan një vendim të duhur dhe shterues.

Nga ana tjetër, Gjikondi ka komentuar dhe thirrjen për protestë nga Sali Berisha. Sipas saj, Berisha është simbol i përçarjes, destabilitetit dhe agresivitetit ndër shqiptarë.

-Zonja Gjikondi, si e vlerësoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e quajti të drejtë masën e SPAK ndaj Sali Berishës? A mendoni se ky vendim është një hap i duhur për drejtësinë në Shqipëri?

Po. Ishte një vendim i duhur dhe shterues. Vendimet e Gjyqësorit sidomos ato të Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen. Vetëm zbatohen. Shoqëria shqiptare lëngon nga mosnjohja, mosrespektimi dhe denigrimi i Vendimeve dhe procedurave të drejtësisë shqiptare. Dhe kjo tregon papjekurinë dhe mëkatet që na kanë drejtuar këto dekada. Gjithsesi Gjykata Kushtetuese është shprehur se po vazhdon të procedojë ndaj një kërkese tjetër të Zotit Berisha. Të presim çfarë do të vendoset. Por personalisht mendoj që çfarë do që të vendosë Gjykata Kushtetuese, Berisha është i burgosuri i mëkateve të tij ndaj shqiptarëve.

-Në lidhje me sekuestrimin e dy vilave të Monika Kryemadhit me urdhër të SPAK, çfarë mendoni për veprimet e institucioneve të drejtësisë? A është ky një mesazh për politikanët që ndodhen nën hetim?

Ajo është thjesht një masë paraprake, pasi zonja në fjalë mund të vazhdojë ti përdorë ato prona, Quhet Sekuestro Preventive, ka procedura të tjera deri sa të marrë formë të prerë dhe të konfiskohen përfundimisht, dhe jo vetëm ato.

-Ilir Meta ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se çdo gjë që ka ndodhur është bërë nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, pa dijeninë e tij. Si e vlerësoni këtë qëndrim? A është kjo një përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia?

Jo nuk është taktikë për të shpëtuar nga përgjegjësia, por është taktikë e të dyve që të shpëtojnë pronat e tyre të vëna në mënyrë të paligjshme. Ai është shkaku që kanë qenë dhe janë bashkë dhe aq vlejnë.

-Sali Berisha ka thirrur një protestë më 26 nëntor për të kundërshtuar veprimet e SPAK dhe politikat e qeverisë. Si e shihni këtë lëvizje të tij dhe a mendoni se qytetarët do t’i bashkohen thirrjes për protestë?

Lëvizje e neveritshme, tipike e tij. Ai është simbol i përçarjes, destabilitetit dhe agresivitetit ndër shqiptarë. Gjërat zgjidhen dhe ndryshe dhe me optimizëm, vizion dhe projekte që të çojnë përpara. Vetëm dashuria dhe qetësia mund ta shpëtojë këtë vend. E kundërta përherë e ka çuar në greminë.

 

Advertisement