Connect with us

Kosova

Taktika e Kurtit për të ndarë përgjegjësinë e humbjes, kërkon ndihmën e Shqipërisë

Kosova ka kontaktuar Shqipërinë për t’i kërkuar ndihmë që Komiteti i Ministrave të miratojë përfundimisht anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës, teksa Kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar kushtin lidhur me Asociacionin që tha se ia vunë kryeqendrat europiane.

Në lidhje me këtë, publicisti Ben Andoni tha se kjo është taktikë e Prishtinës “për ta ndarë përgjegjësinë e humbjes” me Tiranën, pasi që shteti shqiptar s’e ka forcën që “të peshojë në vullnetet e vendeve kryesore të kontinentit, që e kanë shprehur qëndrimin e tyre direkt në zyrën e Albin Kurtit”

Megjithëse tha se nuk e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke refuzuar kështu kushtin që tha se ia vendosën kryeqendrat europiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës këtë muaj, Kurti tha se shpreson ende se Komiteti i Ministrave që mblidhet më 16 dhe 17 maj do të vendosë përfundimisht që ta pranojë Kosovën në KiE.

Për këtë u tha edhe se Qeveria e Albin Kurtit ka kërkuar edhe ndihmën e Shqipërisë. “Kosova po bën përpjekjen e saj, por duhet që edhe Shqipëria të bëjë përpjekjen e saj që të arrihet pajtimi dhe të tejkalohen keqkuptimet në kërkesa…”, tha të hënën Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Kurti.

Publicisti Andoni tha se tentativa synon edhe që të rikthehet komunikimi i munguar me Kurtit dhe Ramës.

“ Ismail Kadare shkroi diçka të mrekullueshme në kohën e Luftës së Kosovës, ‘Ra ky mort dhe u pamë’, por në këtë rast mund të përshtatej se gjithmonë kur kemi halle kujtohemi se jemi të vetëm me njëri-tjetrin. Kosova nuk bën dot pa Shqipërinë, sado politikanët e Prishtinës ta qesëndisin, ashtu si Shqipëria e do ta ketë gjithnjë Kosovën në krah, për shpirtin, gjakun dhe adhurimin e madh që kanë për të.

Po shikoj tani një moment kthjellimi të politikës kosovare dhe pres shpejt të ketë vizita zyrtare të nivelit të lartë, për t’u rakorduar më mirë”- deklaroi Andoni dhe kujtoi se “Shqipëria ka ngritur me kohë një grup ‘ad hoc’ në Ministrinë e Jashtme, kohë më parë, për këtë udhëtim të Kosovës në Keshillin e Europës, por megjithë pozicionin e mirë ndërkombëtar, Shqipëria s’ka fuqi të ndikojë që vendet kryesore të kontinentit të ndryshojnë qëndrim tani për tani.

“Habitem sesi dy ministritë nuk kanë rakorduar më shumë për një qëllim kaq të madh për Kosovën. Ndërkohë, që tashti është tejet vonë dhe po mendoj se vetëm një predispozitë e Ministrave të KiE dhe shprehje e vullnetit të mirë të Kosovës për Asosacionin mund të ndihmonte procesin. Megjithatë, e quaj shprehje të vullnetit të mirë dhe uroj që në të ardhmen të ketë shumë më tepër rakordim mes Tiranës-Prishtinës. Jemi të dy vendet shumë të vogla, që të bëjmë pa njëri-tjetrin”, theksoi publicisti i njohur.

Sipas tij, Kosova e ka obligim asociacionin prej paraardhësve të Kurtit dhe ky i fundit duhej ta kishte përgatitur një të tillë sipas kushtetutës.

Për fat të keq, humbja në shtigjet pa dalje në dialog dhe sidomos një Serbi, që ndryshon rregullat e lojës vazhdimisht, e ka bërë të vështirë situatën, shtuar këtu dhe konfuzitetin e emisarëve Lajcak, Escobar, Borell e me radhë, mendoj se do duhet një dialog i ri për vetë dialogun. Është momenti, që faktori kosovar duhet të unifikohet dhe të vendosë për një draft, pasi cilido që do të jetë në pushtet, do e ketë detyrim realizimin e Asociacionit. Me pak fjalë, partitë duhet të kenë parasysh që këtë barrë ta mbajnë të gjitha, por të mos e dëmtojë Kushtetutën e Kosovës. Vështirë të besohet se ka mundësi me orët e mbetura të ketë vendim pozitiv për Kosovën, pra të përfshihet në axhendën e Këshillit Europian” – theksoi Ben Andoni.

Advertisement