Rajon
Taravari përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut
Reagimet nga Maqedonia e Veriut 👇
Arben Taravari, një nga liderët e VLEN-it ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në të cilin thuhej se do të dëmtohet gjuha shqipe. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese sot vendosi që seanca të shtyhet për një rast tjetër në të cilin do të marrin pjesë edhe ekspertë, shoqëria civile, partitë politike.
“Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese që nuk e pezulluan gjuhën Shqipe, duke treguar se ky shtet po ecën përpara! Ju të tendës shfrytëzoni kohën për reformim, reflektim dhe lini tendat për cirk”, ka shkruar Taravari.
Ai tutje ka ironizuar edhe me gazetarin nga Shqipëria, Blendi Feviziu, i cili pak ditë para këtij vendimi, kishte realizuar një video mesazh me porosi duke përçuar informata të cunguara për publikun e gjërë.
“P.s, besoj se Blendi Fevziu e ka marrë vesh këtë lajm (presim video)”, ka shkruar Taravari.
Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, reagoi pas anulimit të seancës së Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Mbaroi loja!
Gjuha shqipe nuk u ndalua,
Ligji për gjuhën shqipe nuk u abrogua,
Lista e zezë për korrupsion u konfirmua.
Rrini rahat. Qeveria punon,” ka shkruar Mexhiti në një postim publik.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shihet si fitore për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore dhe një goditje ndaj përpjekjeve për kufizimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në RMV.